Lidhje

Breedlove: Rrezik për sulm të ri rus në Ukrainë


Kreu i komandës amerikane në Evropë, gjenerali Philip Breedlove, tha se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë tjetër ushtarake në Ukrainë, gjykuar nga veprimet e saj në të kaluarën. Ai tha se veprimet e Rusisë përbëjnë rrezik për sigurinë përtej Ukrainës.

"Nga disa pauza të mëparshme në Ukrainën lindore, ajo që kemi parë është e njëjta prirje për rifunizimin, trajnimin e trupave që bëhet zakonisht kur planifikohet një veprim në të ardhmen. Këtë e kemi parë të ndodhë gjatë kësa periudhe përgjumje në luftimet pas marrëveshjes së armëpushimit më 12 shkurt."

Vlerësimet e gjeneralit amerikan janë në kontrast të thellë me përshtypjen që presidenti Vladimir Putin përcolli tek ish udhëheqësit globalë gjatë një takimi prej dy orësh në Moskë.

Ish presidenti amerikan Jimmy Carter tha se ishte i kënaqur me angazhimin e Rusisë për të zbatuar marrëveshjen e Minskut, e cila bën thirrje për një zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë dhe zbutjen e përfshirjes ushtarake.

"Nuk kam dyshim se rusët kërkojnë vërtet zbatimin e të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Mendoj se kjo është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve në Ukrainë – zbatimi i marrëveshjes së Minskut".

Marrëveshja e Minskut u arrit në shkurt nga Franca, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe separatistët pro-rusë. Ajo parashikon armëpushimin dhe tërheqjen e trupave të huaja dhe artilerisë së rëndë për të çuar në një zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe politike të konfliktit në Ukrainë.

Gjenerali Breedlove tha se nuk e di se cila do të jetë lëvizja e ardhshme e zotit Putin për Ukrainën por shtoi se veprimet e Rusisë përbëjnë rrezik për sigurinë përtej Ukrainës.

"Rusia po përpiqet qartësisht të ndryshojë rregullat dhe parimet që kanë qënë themeli i sigurisë evropiane për dekada. Sfida që përbën një Rusi e tillë është kërcënim global dhe jo rajonal, i qëndrueshëm dhe jo i përkohshëm.”

Gjenerali Breedlove tha se ai nuk i di objektivat e zotit Putin, por ai personalisht beson se Rusia do ta mbajë presionin të lartë në Ukrainë derisa ajo të jetë e lirë nga çdo ndikim perendimor.

XS
SM
MD
LG