Lidhje

Në Ukrainë vazhdojnë protestat


Në Ukrainë, partia në pushtet ka kërkuar riorganizim të kabinetit, një shenjë që tregon se udhëheqja po kërkon të qetësojë protestuesit që kundërshtojnë një marrëveshje ekonomike me Rusinë. Deputetët e Partisë së Rajoneve të presidentit Yanukovych u takuan sot me kryeministrin Mykola Azarov për të kërkuar një ndryshim pothuajse të të gjithë anëtarëve të kabinetit. Ndërkohë protestat pro-evropiane vazhduan sot në Kiev.

Demonstruesit vazhduan të protestojnë sot në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, një ditë pasi 200 mijë njerëz morrën pjesë në një miting për të protestuar ndaj presidentit Viktor Yanukovych që nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshjen ekonomike me Bashkimin Evropian.

Presidenti Yanukovych akuzohet se e refuzoi marrëveshjen në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë. Nesër ai shkon në Moskë për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin.

Ai përballet me një opozitë të fuqishme në vend, ndërkohë që politikanët e lartë evropianë dhe amerikanë kanë kërcënuar sanksione nëse protestat shtypen me dhunë.

Duke luftuar të ftohtin në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, një protestues tha se presidenti Yanukovych duhet të largohet:

"Ai duhet të largohet. Ky president duhet të ikë dhe të vij një president i ri që do popullin dhe do të integrojë Ukrainën në Evropë. Yanukovych-i nuk e bën dot këtë. Ai nuk mundet."

Në një vizitë në Kiev, Elmar Brok, kryetari i komisionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me jashtë sugjeroi gjithshtu që zoti Yanukovych të bëj thirrje për zgjedhje të reja.

"Është e rëndësishme të gjendet një qeveri e re me një mandat të ri dhe që përpiqet të përmbushë vullnetin e popullit. Duhen përgatitur zgjedhje në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre."

Zoti Brok tha gjithashtu se dhuna në Ukrainë do të ketë si përgjigje sanksione ekonomike:

"Mendoj se për momentin jemi në fazën e gjetjes së një zgjidhje. Ne kërkojmë të ofrojmë ndërmjetësim për të gjetur një zgjidhje për vendin në mënyrë që të mënjanohet dhuna. Por nëse presidenti Yanukovych shkon në Moskë dhe më pas ka dhunë atëherë llogaritë bankare nuk mund të jenë më të hapura për disa ukrainas në Evropë. "

Komentet e tij pasojnë paralajmërimet e senatorëve amerikanë John McCain dhe Chris Murray të cilët u takuan dje me zotin Yanukovychin.

Ata kërcënuan sanksione kundër qeverisë së presidentit Viktor Yanukovych në se autoritetet përdorin më tepër dhunë për të shtypur protestat.

Lëvizja e protestave, tani në javën e katërt, ka në plan të vazhdojë ndërsa zoti Yanukovych është në Moskë.

Qeveria e Ukrainës, e cila kërkon deri në 20 miliardë dollarë ndihma të huaja për të mëkëmbur ekonominë, I ka siguruar demonstruesit se ajo ka në plan të nënshkruajë një marrëveshje me Bashkimin Evropian.

Por BE-ja pezulloi papritur bisedimet të djelën duke thënë se udhëheqja e Ukrainës nuk po tregohej e sinqertë. Ministrat e jashtëm të BE-së sot në Bruksel ritheksuan gadishmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje por shtuan se hapi i ardhshëm është në dorë të Kievit.
XS
SM
MD
LG