Lidhje

Ulet vlerësimi për gjendjen financiare të Italisë, Greqia përpjekje për të mos falimentuar

  • Zëri Amerikës

Ulet vlerësimi për gjendjen financiare të Italisë, Greqia përpjekje për të mos falimentuar

Ulet vlerësimi për gjendjen financiare të Italisë, Greqia përpjekje për të mos falimentuar

Në vendet e Eurozonës vazhdon të mbizotërojë një situatë e paqartë ekonomike ndërsa Greqia ende po përpiqet të negociojë me institucionet financiare ndërkombëtare lëvrimin e këstit të ri të huasë, pa të cilin sistemi financiar i këtij vendi do të dështonte brenda një muaji. Vështirësive të Evropës iu shtua ndërkohë edhe njoftimi i kompanisë së vlerësimit të kreditimit Standart and Poor që uli me një shkallë vlerësimin për sistemin financiar të Italisë.

Kompania Standart and Poor (S&P) uli nivelin e vlerësimit të kreditimit të Italisë nga A+ në A. Gjithashtu, kjo kompani ka dhënë një parashikim negativ për gjendjen financiare të Italisë në të ardhmen. Nota më e ulët me të cilën vlerësohet sistemi financiar i Italisë, sipas firmës S&P, u bë për disa arësye, si për dobësi fiskale ashtu edhe politike. S&P e ka patur nën vëzhgim rastin e Italisë që nga muaji maj.

Edoardo Luinin, punonjës në bursë thotë:

“Pritej ky vlerësim! Shpresojmë që ky vlerësim negativ të nxisë klasën politike që të vërë në zbatim reformat me të cilat nuk po merret”.

Parlamenti italian miratoi javën e kaluar një plan masash shtrënguese me vlerën e 80 miliard dollarëve. Qeveria italiane shpreson që ky plan të ekuilibrojë buxhetin italian deri në vitin 2013. Italia ka ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.

Ndërkaq zyrtarët grekë bënë të ditur organizmin e një tjetër konference për ditën e sotme me përfaqësues të Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Greqia përballet me falimentim financiar muajin e ardhshëm nëse nuk merr këstin tjetër nga paketa e shpëtimit prej 159 miliardë dollarësh. Grupet financiare ndërkombëtare presin nga Greqia t’i zbatojë me shpejtësi shkurtimet buxhetore dhe të pushojë nga puna mijëra punonjës të sektorit publik, para se të lëvrojnë këstin e ri të huasë.

Falimentimi i Greqisë do të kishte pasoja si në Bashkimin Europian ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq në kryqytetin e Greqisë Athinë, studentët protesutan ndaj masave shtrënguese të cilat sipas tyre i kanë lënë ata pa libra dhe me personel të shkurtuar të mësuesve këtë fillim viti shkollor.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh se ne kemi nevojë për libra, mësues dhe banka tani...! Për krizën duhet të paguajnë ata që kanë para dhe jo prindërit tanë të cilët kanë paguar disa herë për të”.

Thuajse e njëjta situatë ka qenë edhe në rrugët e Madridit. 21 mijë mësues spanjollë nisën sot një grevë 3 ditore, si shenjë proteste ndaj shkurtimit prej 80 milion eurosh që qeveria ka ndërrmarë në sektorin e arsimit publik.

Rreth 400 shkolla pritet të preken nga greva.

Me grevën tonë po u tregojmë atyre që ne jemi bashkë në këtë protestë, jo vetëm mësues, por edhe prindër e nxënës. Kemi tentuar që të flasim pa përdorur proteststa por ka qenë e pamundur”- thotë një mësuese.

Ndërsa Rosabel Romaro, e cila është nëna e një vajze në klasë të parë thotë:

“Jam e shqetësuar sepse ky është viti i parë i shkollës për vajzën time. Por duhet të përshtatemi me çdo situatë dhe të mbështesim 100% mësusesit”.

Situata ekonomie në Europë ka qenë tema e një bisede telefonike mes presidentit amerikan Barak Obama dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Të dy udhëheqësit ndanë të njëjtin mendim se duhen marë hapa konkretë gjatë muajve në vazhdim për të siguruar mëkëmbjen globale ekonomike.

XS
SM
MD
LG