Lidhje

Ulja e kreditit dhe pasojat për ekonominë amerikane

  • Jim Randle

Ulja e kreditit dhe pasojat për ekonominë amerikane

Ulja e kreditit dhe pasojat për ekonominë amerikane

Para pak ditësh, firma Standard & Poor uli klasifikimin e kreditit për qeverinë amerikane, sepse sipas saj marrëveshja për tavanin e borxhit bëri shumë pak për të shkurtuar shpenzimet dhe shkaktoi shumë grindje politike. Ulja e klasifikimit mund t’ja më të shtrenjtë Uashingtonit pagesën e borxhit dhe të shkaktojë efekte negative në ekonominë amerikane dhe atë botërore. Efektet e para po ndihen tek tregjet monetare, me rënien e madhe të bursave në shkallë globale.

Xhon Çejmbërs, i firmës Standard & Poor, thotë se marrëveshja e fundit bën shumë pak për të ulur borxhin, duke i shtyrë analistët ta përqendrojnë vemendjen te klima politike jofunksionale.

"Çështja është tek aftësia e politikanëve për të reaguar në kohën e duhur për t’i mbajtur financat publike në një bazë të qëndrueshme."

Disa në rrugët e Nju Jorkut janë dakord.

"Problemi ishte se ne nuk vepruam me vendosmëri për tavanin e borxhit. Ne u përpoqëm t’i dredhojmë problemit dhe kjo la një përshtypje të keqe."

Ulja e klasifikimit nga firma S&P mund të bëjë që kreditorët të imponojnë interesa më të larta si për konsumatorët edhe për qeverinë. Rritja e kostos së huamarrjes e rëndon më tej problemin e borxhit dhe ua bën më të vështirë bizneseve të blejnë pajisje të reja apo të punësojnë njerëz të rinj.

Uilliam Klajn i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se ndikimi do të varet se sa lart do të shkojnë interesat. Ai i tha Zërit të Amerikës se fillimisht ndikimi nuk do të jetë i qartë për shkak se rritja e ngadaltë ekonomike i mban interesat të ulta.

"Nëse një normë interesi prej 1 për qind rritet në 1.1 për qind, kjo rritje mezi dallohet."

Firma S & P ka paralajmëruar se Uashingtoni mund të përballet me një tjetër ulje të klasifikimit nëse gjendja nuk përmirësohet. Isaac Cohen, ekspert për ekonominë dhe politikat amerikane, thotë se tensionet politike mund të shtohen me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të 2012s.

"Do të ketë grindje të vazhdueshme politike, për këtë jam i sigurt. Me afrimin e fushatës, intensiteti i konfrontimit midis palëve natyrshëm do të të rritet."

Konfrontimi midis demokratëve dhe republikanëve vjen nga ideologjitë e tyre mjaft të ndryshme. Republikanët thonë se qeveria është shumë e madhe dhe kërkojnë të ulin taksat, pasi sipas tyre, kjo ndihmon rritjen e sektorit privat.

Demokratët thonë se qeveria mund të luajë një rol konstruktiv në ekonomi, dhe kërkojnë taksa më të larta për të pasurit dhe për korporatat e mëdha.

Robert Biksbi kryeson Koalicionin Concord, një grup që i kërkon Uashingtonit t’i menaxhojë më mirë financat. Ai thotë se marrëveshja e fundit e borxhit nuk e zgjidh çështjen e kostos së lartë që qeveria paguan për pensionet, kujdesin shëndetësor për të moshuarit apo për të varfërit.

"Problemi më i madh që kemi është rritja e programeve të tilla, sidomos ato më të mëdhatë, që janë Sigurimet Shoqërore, kujdesi shëndetësor për të moshuarit dhe për të varfërit. Këto programe lidhen me plakjen e popullsisë dhe kostoja në këtë aspekt rritet më shpejt se sa vetë ekonomia."

Shpenzimet e kujdesit për të moshuarit po rriten më shpejt se sa të ardhurat nga taksat, arsyeja kryesore që deficitet e buxhetit i shtohen çdo vit borxhit qeveritar prej 14,3 trilionësh.

Marrëveshja për borxhin parashikon shkrtimin e 1 trilion dollarë shpenzimeve në 10 vjet, dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm në Kongres për të shkurtuar edhe 1,5 trilion dollarë shpenzime të tjera.

Shpenzimet ushtarake janë një fushë politikisht e vështirë për shkurtime, për shkak të mbështetjes së fuqishme të republikanëve për programe të tilla. Nga ana e tyre, demokratët u rezistojnë shkurtimeve në programet sociale. Marrëveshja parashikon shkurtime masive automatike nëse dy palët nuk bien dakord.

XS
SM
MD
LG