Lidhje

OKB e shqetësuar nga kriza në Krime

  • Margaret Besheer

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki -mun dje shprehu "zhgënjimin" dhe shqetësimin e tij të thellë, një ditë pasi rajoni ukrainas i Krimesë në një referendum të debatueshëm votoi në favor të bashkimit me Moskën.

Zoti Ban ka ndjekur me vëmendje intensifikimin e krizës në Ukrainë. Ai ka dërguar një numër zyrtarësh të lartë të OKB-së në Kijev, duke përfshirë edhe zëvendës sekretarin e përgjithshëm, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike të krizës. Ai të premten ka biseduar me telefon me presidentin rus Vladimir Putin.

Zëdhënësi i zotit Ban, Stephane Dujarriç, u tha gazetarëve se sekretari i përgjithshëm i OKB-së është i shqetësuar se referendumi i së dielës që shpalli pavarësinë e Krimesë nga Ukraina do ta përkeqësojë situatën atje.

"Ai inkurajon të gjitha palët që të punojnë për një zgjidhje të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e unitetit dhe sovranitetit të Ukrainës."

Shefi i OKB nuk tha se referendumi në Krime ishte i paligjshëm. Autoritetet e përkohshme të Ukrainës dhe përkrahësit e tyre ndërkombëtarë thonë se referendumi ka shkelur kushtetutën e vendit. Por zoti Ban u bëri thirrje të gjitha palëve në vend dhe atyre me ndikim për të shmangur veprimet që mund të rrisin tensionet.

Jeffrey Laurenti, analist dhe studiues i OKB-së , thotë se ky institucion botëror nuk mund të bëjë shumë për të ndalur Moskën.

"Organizata e Kombeve të Bashkuara është në një pozicion të vështirë për të sfiduar në mënyrë efektive një nga garantuesit kryesor të kompetencave të saj në Këshillin e Sigurimit. Ajo nuk arriti të ndalte Shtetet e Bashkuara nga pushtimi i Irakut, dhe nuk do të jetë në gjendje të ndalë Rusinë nga pushtimi i Krimesë apo pjesëve të tjera të Ukrainës, nëse rusët do vendosnin të bënin një gjë të tillë".

Diplomatët kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi hapat e Rusisë drejt aneksimit të Krimesë, duke thënë se këto veprime sjellin kujtimet e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe shtypjen e revolucionit hungarez në vitin 1956.
Shqetësimet sigurisht nuk u lehtësuan dje, kur presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që njeh Krimenë si shtet sovran, një veprim që shihet si hapi i parë drejt aneksimit të këtij rajoni.

Analisti Laurenti thotë se ka patur disa aneksime që nga themelimi i OKB-së në vitin 1945 që nuk janë pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, dhe Krimea ka gjasa t’i shtohet listës së këtyre rajoneve.

"Disa prej tyre janë zgjidhur, si rasti i aneksimit të Timorit Lindor nga Indonezia. E ardhmja e rajoneve të tjera të aneksuara është ende në pikëpyetje, përfshirë aneksimin e Saharës Perëndimore nga Maroku, aneksimin e Lartësive Golan dhe Jeruzalemit Lindor nga Izraeli, dhe nuk ka dyshim se Krimea do të bie në të njejtën kategori".

Ndërkohë që përpjekjet diplomatike vazhdojnë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të enjten ka në plan të zhvillojë një takim për të diskutuar krizën. Por Asambleja e Përgjithshme nuk ka kompetenca si Këshilli i Sigurimit, prandaj nuk mund të marrë asnjë masë të rëndësishme ndaj Moskës, përveç izolimit të mëtejshëm të saj duke treguar një mbështetje të madhe politike për Ukrainën.
XS
SM
MD
LG