Lidhje

Programi për Zhvillimin e Mijëvjeçarit, në rrezik

  • Henry Ridgewell

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se ulja e ndihmave nga dhuruesit ndërkombëtarë do të thotë se shumë nga synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të OKB-së nuk do të realizohen. Kombet e Bashkuara thonë se ndihma zyrtare për zhvillimin në vitin 2011 ishte më pak se 300 miliardë dollarë, shifër e nevojshme për të plotësuar piksynimet e përcaktuara në vitin 2000. Specialistë të ekonomisë dhe shëndetit thonë se deri më tani, falë programit të OKB-së për Zhvillimin e Mijëvjeçarit, janë shënuar përparime në trajtimin e varfërisë dhe në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.

Margaret Gift ka sjellë djalin e saj Simplicious për një vizitë në klinikën lëvizëse në fshatin Chikhwawa në Malawi. Diareja e tij mund të mjekohet këtu.
Zyrtarët thonë se Malawi ka bërë përparim të shpejtë në pakësimin e vdekjes së fëmijëve - një prej synimeve të programit për Zhvillimin e Mijëvjeçarit të OKB-së- pjesërisht si rrjedhojë e decentralizimit të sistemit shëndetësor. Viktor Chinyama i UNICEF-it thotë se ky sistem bën që personeli mjekësor të jetë më pranë të sëmurëve.

“Ka njerëz që jetojnë në komunitet dhe tani është bërë e mundur që të trajtojnë fëmijët e tyre, ku sëmundjet më të shpeshta janë malaria, të ftohtët dhe diareja”.

Deri tani përllogaritet një rënie prej 40% në shkallë botërore që nga viti 2000 e vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën 5 vjeç- një përparim i mirë drejt synimit që është reduktimi i fenomenit në dy të tretat.

Në raportin e Njësisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Mijëvjeçarit për vitin 2012, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki moon paralajmëroi se të ardhurat për këtë projekt janë në rrezik pasi nga dhuruesit janë grumbulluar 167 miliardë dollarë më pak se ç’pritej.

“Vitin e kaluar, ndihma zyrtare për zhvillimin ra për herë të parë në shumë vite. Përsëris thirrjen time ndaj komunitetit ndërkombëtar: Mos e vini barrën e shkurtimeve financiare në kurrizin e të varfërve”.

Profesorja Anne Mills e Qendrës kërkimore në Londër për Higjenën dhe mjekësinë Tropikale, është e specializuar në ekonominë e vendeve në zhvillim. Ajo thotë se rënia e dhurimeve është alarmuese.

“Nëse vazhdon kështu edhe në të ardhmen mendoj se do të jetë një shqetësim i madh. Mendoj se kjo mund të ketë ndikim tek vdekja e nënave, lindjet e hershme dhe vdekjet e fëmijëve”.

Zonja Mills thotë se shëndeti i nënave dhe foshnjave është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2000. Por ajo thotë se kriza financiare botërore ka ndikim.

“Ne shohim një rritje të debateve rreth vlerës së ndihmës për këto vende, ashtu siç e shohim këtë debat edhe në Britani. E kemi parë këtë situatë edhe për disa nga venedet dhuruese, ku shtimi i ndihmave ka nisur të bierë”

Një tjetër piksynim i Zhvillimit të Mijëvjeçarit bën thirrje për përgjysmimin e numrit të njerëzve që nuk kanë qasje në ujin e pijshëm deri në vitin 2015. Ky pikësynim duket në rrugë të mbarë falë programeve si ai në Mali - i cili ka si synim të sjellë ujin e pijshëm dhe të përmirësojë kushtet higjenike për gjysëm milion fëmijë - si Youssof Dissa.

“Kur erdha në shtëpi fola me gjyshin dhe gjyshen dhe u shpjegova se çfarë mësova në shkollë, kryesisht rëndësinë e larjes së duarve përpara se të hamë”.

Specialistët e kujdesit shëndetësor duket se janë në një mendje se Pikësynimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit kanë çuar në përmirësimin e përhapjes së kujdesit shëndetësor dhe në zbutjen e varfërisë. Por afati i përcaktuar në vitin 2015 për përfundimin e disa prej këtyre piksynimve, ngre shqetësime se kriza financiare mund të sjellë fundin e këtij programi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG