Lidhje

Thaçi, Daçiç flasin në Këshillin e Sigurimit


Security Council-kosovo
Security Council-kosovo

Ambasadorja e SHBA në OKB, Susan Rice i inkurajoi palët të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe t’ua shpjegojnë qytetarëve të të dyja vendeve

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç folën sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mbi gjendjen në Kosovë. Në seancë u diskutua mbi raportin e rregullt tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili e quan arritje historike marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice i inkurajoi të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe që t’ua shpjegojnë qytetarëve të të dyja vendeve.

Thaçi, Daçiç flasin në Këshillin e Sigurimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç e hapi fjalimin duke thënë se gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës është sipas tij mjaft e brishtë. Ai foli për incidente të shpeshta, për të cilat tha se janë shtuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke folur për dialogun me Kosovën, zoti Daçiç tha se vendi i tij ka investuar përpjekje të konsiderueshme dhe ka treguar elasticitet të madh. Ai tha se Serbia do të vazhdojë të udhëhiqet nga besimi i fortë se negociatat mund të sjellin një zgjidhje pranueshme për të gjithë.

Kryeministri Daçiç tha se Serbia ka shpresa të mëdha nga takimet e ardhshme të ekipeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Serbia, tha ai, e shikon shumë të rëndësishme që, ajo që është arritur, të vihet në praktikë duke pasqyruar vullnetin dhe synimet e negociatorëve. Statusi i serbëve në Kosovë, tha zoti Daçiç, duhet të përcaktohet qartë.

Kryeministri i Serbisë tha se procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë ka qenë shumë i ngadaltë dhe i vështirë. Të kthyerit po mbështeten më shumë me fjalë sesa me vepra, tha ai.

Procesi i kthimeve, tha zoti Daçiç, është bërë më i vështirë nga fakti se sistemi i sundimit të ligjit në Kosovë ka mangësi serioze dhe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë mbrojtjen e duhur në veçanti të pakicave.

Zoti Daçiç bëri thirrje që mandati i UNMIK-ut në Kosovë të mbetet i pandryshuar. Roli i UNMIK-ut në stabilizimin e situatës në rajon është i pazëvendësueshëm, tha zoti Daçiç.

Kryeministri serb u ankua se zyrtarëve dhe figurave të njohura publike të Republikës së Serbisë vazhdohet t'u mohohet hyrja dhe qëndrimi në Kosovë.

Zoti Daçiç tha në mbyllje se megjithë këto probleme, nuk ka dyshim se në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës është arritur përparim historik. Serbia, tha ai, është e vendosur t'ia lërë të kaluarën së kaluarës. Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Kryeministri Daçiç, është t'i japim formë të tashmes dhe të ardhmes.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Hashim Thaçi i bëri një paraqitje të hollësishme marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, të cilën ai e quajti një moment vendimtar dhe historik.

Ai tha se vendi i tij vazhdimisht ka treguar mbështetje për dialogun politik me Serbinë. Edhe qytetarët, tha kryeministri Thaçi, kanë shprehur shpresën se marrëveshja do t'i shërbejë paqes dhe qëndrueshmërisë.

Zoti Thaçi përgëzoi edhe homologun e tij, kryeministrin serb, Daçiç për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes.

Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja Kosovë-Serbi ka një rëndësi përtej Ballkanit Perëndimor. Kyç për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, tha ai, është zbatimi në praktikë i marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij do të jetë e angazhuar për zbatimin por kërkoi nga Serbia që të jetë gjithashtu e angazhuar dhe të bindë serbët në veriun e Kosovës ta pranojnë marrëveshjen. Ai tha se zbatimi është thelbësor sidomos për serbët në veri të Kosovës. Zoti Thaçi tha se zbatimi në kohë i marrëveshjes ka rëndësi të madhe për të eliminuar aktivitetin kriminal në veri.

Duke folur për çështjet e sigurisë, zoti Thaçi tha se policia e Kosovës ka bërë përpjekjet për të shtuar sigurinë për kishat serbe dhe objektet e tjera fetare dhe kulturore.

Kryeministri Thaçi tha se integrimi në Bashkimin Evropian është përparësi shtetërore e vendit të tij. Ai tha se Kosova është në rrugën e duhur për të hapur negiociatat e marrëveshjes së asocim – stabilizimit me BE-në këtë vit dhe për të nënshkruar marrëveshjen e liberalizimit të vizave.

Në fund, kryeministri Thaçi theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel duhet ta shtyjë Këshillin e Sigurimit të shqyrtojë miratimin e një rezolute të re për t'i dhënë fund misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë.

Në emër të Shteteve të Bashkuara, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice i inkurajoi të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe që t’ua shpjegojnë qytetarëve të të dyja vendeve.

Zonja Rice tha se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia po japin një shembull bashkëpunimi në rajon. Ajo vlerësoi përparimin e Kosovës në vendosjen e shtetit ligjor.

XS
SM
MD
LG