Lidhje

OKB miraton kontrollin dhe sekuestrimin e anijeve me emigrantë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë sot për të autorizuar Bashkimin Evropian dhe vende të tjera të ndalin, kontrollojnë dhe sekuestrojnë mjete lundruese që dyshohet se po përdoren për trafik me njerëz në detin Mesdhe, pranë brigjeve të Libisë.

Këshilli me 15 anëtarë miratoi një masë të propozuar nga Britania për të vënë nën kontroll krizën më të rëndë të refugjatëve në Evropë që nga Lufta II Botërore. 14 vende votuan pro, Venezuela abstenoi.

Këshilli e miratoi rezolutën në bazë të Kapitullit 7 të Kartës së OKB-së e cila autorizon përdorimin e forcës, me një mandat një vjeçar. Autorizimi nuk përfshin ujërat territorial apo bregdetin e Libisë.

Bashkimi Evropian filloi “Operacionin Sofia” në pjesën jugore të Mesdheut të mërkurën për të interceptuar mjetet e lundrimit që përpiqen të futen ilegalisht në BE.

Në të kaluarën, Bashkimi është përqëndruar në operacionet e kërkim-shpëtimit, por me dyndjen masive të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe vende të tjera të trazuara, mijëra vetë kanë gjetur vdekjen në det të hapur në përpjekje për të mbërritur në brigjet evropiane.

Sipas shifrave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, 2989 emigrantë kanë gjetur vdekjen gjatë lundrimit në Mesdhe dhe 580 238 kanë zbarkuar në brigjet e Evropës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG