Lidhje

Financat, problem në bisedimet mbi klimën


Mosmarrëveshjet mbi financat kanë penguar përparimin e bisedimeve të OKB-së mbi klimën në Poloni. Delegatët nuk pajtohen mbi mënyrat se si të ofrohet ndihma për të mbështetur vendet në zhvillim në luftën kundër ngrohjes globale.


Një grup i vogël protestuesish në bisedimet e klimës të OKB-së shprehu pakënaqësi mbi mënyrën se si paratë kanë ndikuar duke bllokuar përpjekjet për parandalimin e ndryshimit të klimës.

Vendet në zhvillim po u kërkojnë atyre të pasura të përmbushin zotimin për shpërndarjen e 100 miliardë dollarëve në vit për t'i ndihmuar ata të veprojnë ndaj ndryshimit të klimës. Angazhimi është premtuar të përmbushet brenda vitit 2020.

Por ekziston shqetësim se vendet e industrializuara nuk po e mbajnë këtë premtim, thotë Simon Bradshaw, zëdhënës për ndryshimet e klimës në organizatën Oxfam.

"Shqetësimi është se vendet e zhvilluara nuk kanë përmbushur me ritëm të mjaftueshëm angazhimet financiare që ndërmorrën në vitin 2009. Kemi parë të jepen shumë pak fonde të reja këtë vit dhe nuk kemi parë plane të besueshme nga shtetet mbi mënyrën se si ata do të rrisin kontributet e tyre."

Bisedimet mbi ndryshimin e klimës zhvillohen ndërkohë që Filipinet vazhdojnë të vuajnë pasojat e tajfunit Haiyan. Banka Botërore thotë se humbjet ekonomike globale të shkaktuara nga moti ekstrem - si stuhi të tilla - janë rritur në gati 200 miliardë dollarë në vit dhe mund të vazhdojnë të rriten më tej ndërsa efektet e ndryshimit të klimës përkeqësohen.

Por kjo ndodh në një kohë kur shumë vende të industrializuara përpiqen të nxisin rritjen e ekonomive të tyre të ngadalta.

"Nuk mund të kemi një sistem sipas të cilit të jepen kompensime automatike sa herë që ngjarje të rënda ndodhin prej motit ekstrem në vende të ndryshme të planetit. Ju mund ta kuptoni pse kjo nuk është e mundur."

Përfaqësuesja e Filipineve kritikoi mungesën e një marrëveshjeje mbi çlirimet e gazit që shkakton efektin serrë.

"Nëse do të vlerësonim përparimin tonë, a nuk do të kisha të drejtë të arrija në përfundimin se kemi dështuar rëndë? Duke parë të dhënat shkencore dhe vërtetimin e tyre – jo vetëm tajfunin Haiyan, por dhe ngjarje të tjera si uragani Katrina në Shtetet e Bashkuara, vala e të nxehtit ekstrem në Francë, zjarret në Australi dhe ngjarje të tjera të ndodhura pas rritjes ngrohjes globale – a nuk duhet që të gjithëve të na vijë turp që jemi këtu?"

Konferenca përfundon sot. Pjesëmarrësit shpresojnë të hedhin bazat për një marrëveshje mbi klimën që synohet të arrihet në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG