Lidhje

Fuqitë botërore njëzëri për procesin e paqes në Siri


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri të premten një rezolutë në mbështetje të një procesi të paqes për t’i dhënë fund luftës gati pesëvjeçare në Siri.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se rezoluta dërgon “një mesazh të qartë tek të gjitha palët e interesuara se tash është koha për t’u dhënë fund vrasjeve në Siri”.

Fati i presidentit sirian Bashar al-Assad, nuk është pjesë e rezolutës. Çfarë do të ndodhë me Assadin, duket se është pjesa më përçarëse e përpjekjeve për paqen.

Rezoluta e mbështetur nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, bën thirrje për bisedime të paqes dhe armëpushim që do të fillonte që në ditët e para të muajit janar të vitit që po vjen.

Në rezolutë thuhet se “zgjidhja e vetme e qëndrueshme e krizës aktuale në Siri, mund të arrihet përmes një procesi gjithëpërfshirës politik të udhëhequr nga sirianët që përmbushë aspiratat e ligjshme të popullit të Sirisë”.

Rezoluta është hartuar mbi pajtimet e arritura në diskutimet paraprake në Gjenevë dhe në Vjenë, duke bërë thirrje për një “trup qeverisës kalimtar me fuqi të plota ekzekutive” në Siri.

Rezoluta kërkon që OKB të të sjellë së bashku qeverinë siriane dhe opozitën për bisedime formale mbi një tranzicion politik "me synimin që kjo të ndodhë në fillim të janarit 2016."

“Qartazi mbeten dallime të mprehta”, tha sekretari Kerry, duke aluduar në fatin e Assadit "Që kjo të funksionojë, procesi duhet të drejtohet, formohet e të vendoset nga gratë dhe burrat e Sirisë”.

XS
SM
MD
LG