Lidhje

Gratë shqiptare dhe sipërmarrja


Në Shqipëri gratë zotërojnë vetëm 10 për qind të fermave bujqësore dhe janë drejtuese vetëm në 20 për qind të bizneseve të tjera. Një studim i fundit tregoi se punësimi i grave është i vështirë dhe i keq-paguar. Një plan i ri veprimi synon të shtojë pjesëmarrjen e tyre në sipërmarrje. Gratë shqiptare në tregun e punës kanë tregues dhe paraqitje janë mjaft shqetësues.

Studimi i fundit i Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare mbi shtimin e siërmarrjeve të grave nxori se papunësia e tyre në Shqipëri është më e lartë dhe më afatgjatë se ajo e burrave. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës dhe vetëpunësimi i tyre është në nivel shumë të ulët. Vëzhgimet pohojnë se gratë janë përqëndruar të punojnë në sektorë me prodhimtari të ulët dhe me shkallë të lartë informaliteti, sepse nuk u jepen mundësi të tjera.

“65 për qind e të diplomuarve aktualisht nga universitetet janë vajza e gra, por ato nuk gjejnë dot një punësim fitim-prurës - thotë David Sanders përfaqësues i Kombeve të Bashkuara. - Maksimumi ato punojnë punonjëse sociale në Tiranë apo si shitëse në qytete të tjera. Gratë kanë hapësira minimale në drejtimin e industrive të mëdha, në shërbime dhe sektorë të tjerëPor është koha që kjo gjendje të ndryshojë...” - theksoi ai.

Studimi dëshmoi se gratë janë më pak të përfshira në industri dhe në shërbime. Kjo vjen prej përgjegjësive të tyre në punët e shtëpisë dhe angazhime familjare. Dallimet mes pagave të grave dhe burrave janë shumë të larta. Gratë që marrin kredi për biznes janë sa gjysma e numrit të burrave, sepse nuk kanë të drejtën e pronës. Ato nuk përfaqësohen drejtpërdrejt në pronësi.

Vëzhgimet treguan se koha që harxhojnë gratë në punë të papaguara, kujdestari dhe detyra në familje është shumë më e madhe se koha e burrave. Gratë kryejnë 85 për qind të punës së papaguar, dhe 95 për qind të punëve në familje. Gratë detyrohen të ndërpresin punën edhe për shkak të fëmijëve. Punësimi në fshat është një mundësi e madhe, por në fakt vetëm 10 për qind e fermave bujqësore zotërohen nga gratë, ndonëse në ferma punojnë 60 për qind e grave.

Edhe në sektorin jobujqësor ka ngurrim të madh nga gratë për të udhëhequr. Bizneset e drejtuara nga gratë përbëjnë 20 për qind të bizneseve industriale jobujqësore. Një përqindje më e vogël punojnë me kohë të plotë dhe me të drejta dhe sigurime shoqërore. Pjesa më e madhe e grave gjenden në fundin e piramidës së pagave. Problem kryesor mbetet arsimimi i vajzave dhe grave.

Kalimi nga arsimi i ulët në atë të mesëm është më i ulët se sa djemtë. Brakstisja e shkollave të mesme është më i lartë tek femrat. Gjithashtu në shkollat profesionale ka më pak femra. Plani kombëtar i Veprimit parashikon masa lehtësuese që gratë të përfshihen në biznese të vogla e të mesme, në mënyrë që të fitojnë dinjitet dhe të rritin mirëqenien e tyre dhe të familjes.

XS
SM
MD
LG