Lidhje

OKB nis një raport mbi liritë fetare në Shqipëri


Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e shprehjes ose besimit, Ahmed Shaheed, publikoi sot në Tiranë disa gjetje dhe konstatime në fund të vizitës njëjavore në Shqipëri.

Ai bisedoi me drejtues të agjencive qeveritare, shoqërisë civile, klerit dhe udhëheqësit e tjerë fetarë, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, figura politike, akademikë në Tiranë, Korçë, Shkodër, Kavajë dhe Gjirokastër.

Zoti Shaheed tha se Shqipëria ka hartuar një strategji të kujdesshme për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm me disa elementë të rëndësishëm si arsimi, përfshirja sociale dhe diversiteti fetar.

“I bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vazhdojnë ta mbështesin në zbatimin e nismave, që çojnë përpara arsimimin fetar për të rritur ndërgjegjësimin; të mbështesin projekte mbi sfidat e përjashtimit social, që ndez ekstremizmin dhe militantizmit; të vazhdojnë angazhimin për të reformuar sistemin gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” - tha ai.

Raportuesi i OKB-së theksoi se qeveria duhet të përshpejtojë dhe të kryejë në mënyrë të drejtë e transparente kthimin e pronave fetare, si dhe të legalizojë vendet e praktikimit të fesë.

“Reformat duhet të sigurojnë respektimin e lirisë së fesë ose besimit dhe të forcojnë besimin e publikut tek aftësia e institucioneve shtetërore për trajtim të drejtë e të barabartë për të gjithë” - tha zoti Shaheed.

Sipas tij, futja e një lënde për fenë si pjesë e edukimit qytetar në shkolla janë pjesë e rëndësishme e ruajtjes së mirëkuptimit ndërfetar dhe harmonisë shoqërore.

Zoti Shaheed vlerësoi si një ndër karakteristikat tipike të Shqipërisë faktin se feja nuk përdoret si tipar dallues i identitetit, ose si bazë për mobilizim politik.

Këto gjetje do të përfshihen në një raport gjatë sesionit të 37-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në mars të vitit 2018.

Raportuesi i OKB-së, Shaheed kujtoi se Shqipëria po kalon reforma demokratike për t'u anëtarësuar në BE, duke përmbushur pesë detyrat nga Komisioni i BE-së: luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, forcimin e gjyqësorit, e administratës publike, dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut.

“Shqipëria është shtet laik, pa një fe zyrtare dhe me një peisazh pluralist fetar. Sipas censusit të vitit 2011, 57 % e popullsisë janë suni muslimanë, 10 % janë katolikë, 7 % janë ortodoksë, dhe 8-9 % u përkasin feve të tjera, përfshirë bektashizmin, ndërsa 14% nuk janë shprehur” - tha zoti Shaheed.

Ligjërisht pesë bashkësi fetare kanë nënshkruar marrëveshje me shtetin dhe përfaqësojnë grupet tradicionale fetare, por janë të pranishme dhe grupe të tjera fetare pakicash, që gëzojnë të drejtën e lirisë së fesë ose besimit.

“Shqipëria ka nivel të lartë të martesave ndërmjet feve të ndryshme dhe përzierjen sociale, politike, ekonomike dhe të banimit, si dhe numrin shumë të vogël të rasteve të raportuara të diskriminimit për shkak të fesë ose besimit, të cilat sugjerojnë se etosi i “të jetuarit së bashku” në respekt dhe harmoni të ndërsjellë nuk është vetëm një slogan, por një vlerë e thellë për shumë shqiptarë” - tha zoti Shaheed.

Shqipëria rindërtoi shpejt infrastrukturën fetare dhe udhëheqësinë shpirtërore të komuniteteve, pas një shkatërrimi thuajse të plotë të tyre gjatë diktaturës komuniste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG