Lidhje

Siria, tema kryesore e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Ambicjet bërthamore të Iranit do të diskutohen në një takim të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë.

Të martën, udhëheqësit botërorë mblidhen për takimin e tyre të përvitshëm në Kombet e Bashkuara në New York. Këtë vit, konflikti në Siri, do të jetë tema kryesore e bisedimeve dhe punimeve të kësaj asambleje.

Ndërsa Kombet e Bashkuara po përgatiten për takimin e udhëheqësve nga e gjithë bota në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, udhëheqësit vetë po përgatiten që të diskutojnë për krizën e vazhdueshme financiare në Europë, dhe për konfliktet e armatosura në Afrikë dhe Siri.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban ki Moon u tha gazetarëve se dhuna në Siri - ku më shumë se 20 mijë njerëz kanë gjetur vdekjen dhe miliona të tjerë kanë nevojë për ndihmë humanitare - do të jetë në vëmendjen e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme.

“Do të kem takime dypalëshe me më shumë se 120 udhëheqës. Siria është në krye të takimeve dhe besoj se është prioritet për secilin prej udhëheqësve pjesëmarrës, ndaj ne do ta shtrojmë urgjentish këtë çështje”.

Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim të nivelit të lartë me Lidhjen Arabe e cila do të hapë bisedimet për Sirinë. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton do të drejtojë një takim për situatën humanitare në Siri.

Por analisti Jeffrey Lauerenti i Fondacionit “The Century” në Nju Jork, thotë se pavarësisht vëmendjes së lartë ndaj Sirisë, nuk pret asgjë të rëndësishme nga këto takime.

“Do të ketë shumë takime për Sirinë, por do të ketë shumë pak arritje për të. Është si puna e motit - të gjithë flasin për të, askush nuk bën dotë gjë për ta ndryshuar”.

Ambicjet bërthamore të Iranit gjithashtu do të diskutohen në një takim të 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë. Ata do të analizojnë përparimin e Iranit në fushën bërthamore dhe mungesën e vullnetit nga ana e Teheranit për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth natyrës së programit të tij bërthamor, i cili sipas tij ka synime paqësore.

Në hapjen e takimit të përvitshëm ditën e martë, një prej folësve që do të ketë një vëmendje të veçantë është presidenti Barack Obama.

Analisti Jeffrey Laurenti thotë se do të ndjekë fjalimin e presidentit, i cili është në fushatë për t’u rizgjedhur, si një fjalim drejtuar amerikanëve.

“Atij i duhet të flasë për çështje të mëdha të politikës amerikane e që tërheqin vëmendjen e publikut- si Siria, Irani, të bindë izraelitët dhe mbështetësit e tyre në Amerikë se ai nuk po i braktis, siç e akuzojnë kundërshtarët”.

Shumë njerëz do të ndjekin me vëmendje edhe fjalimet e udhëheqësve nga Lindja e Mesme, mes tyre presidenti i ri i egjiptit, Mohamed Morsi.

Por përtej krizave botërore, një histori suksesi do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve- transformimi i Birmanisë në një demokraci, dhe prania e presidentit Thein Sein në takim. Analistët thonë se turi i lideres birmaneze pro demokracisë Aung San Suu Kyi ndoshta do të zhvendosë vëmendjen nga vizita e Thein Sein.



XS
SM
MD
LG