Lidhje

OKB i rikujton Turqisë detyrimin për mbrojtjen e refugjatëve


Ditën e hënë hyn në fuqi marrëveshja e re ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët. Agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara përsëriti shqetësimet e saj për këtë marrëveshje, si dhe i bëri thirrje Turqisë të përmbushë detyrimet e saj duke krijuar kushte mbrojtëse për refugjatët që do të kthehen mbrapsht nga territori i BE-së.

Organizata “Amnesty International” thotë se që në muajin janar, Turqia ka grumbulluar dhe kthyer mbrapsht me forcë në Siri rreth 100 refugjatë çdo ditë.

Organizata thotë se këto veprime të Turqisë nxjerrin në pah të metat në marrëveshjen ndërmjet Ankarasë dhe Bashkimit Evropian për refugjatët.

Të hënën do të hyjë në fuqi marrëveshja e re e BE-së me Turqinë, dhe OKB-ja i rikujtoi Turqisë se ka detyrime për mbrojtjen e refugjatëve.

“Është e qartë se duhen krijuar parametrat mbrojtëse përpara se kjo marrëveshje të fillojë të zbatohet në një mënyrë që ne besojmë se do të ishte e paligjshme dhe do të rrezikojë njerëzit”, thotë Melissa Fleming, zëdhënëse e UNHCR-së.

Në këmbim të pranimit mbrapsht të refugjatëve sirianë, Turqia do të marrë ndihmë financiare, udhëtim pa viza në BE për shtetasit turq, dhe një proçes të përshpejtuar anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG