Lidhje

SHBA, rezolutë në Këshillin e Sigurimit për ISIS

  • Margaret Besheer

Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë këtë muaj, gjatë një takimi të lartë në Kombet e Bashkuara, miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimin, lidhur me kundërshtimin ndaj kërcënimit që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë, përfshirë Shtetin Islamik.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara morën presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për muajin shtator.

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, i tha të mërkurën gazetarëve, se një pikë fokale në presidencën amerikane të OKB-së do të jetë një takim i Këshillit, lidhur me atë që ajo ju referua si "një fenomen në rritje dhe i rrezikshëm" i luftëtarëve të huaj terroristë:

"Ne jemi duke parë një rritje të numrit të terroristëve që shkojnë nga vende të ndryshme të botës, sidomos për të luftuar në vendet e huaja me konflikte. Këta luftëtarë marrin pjesë në vrasje mizore në vendet ku ata shkojnë dhe shpesh kthehen në vendet e tyre të shndërruar në elementë radikalë, nga eksperienca që kanë patur", - tha zonja Power.

Takimi, që do të kryesohet nga Presidenti Barack Obama, do të mbahet më 25 shtator, në kuadrin e debatit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku marrin pjesë udhëheqës nga vendet e ndryshme të botës. Në takim pritet të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Ambassadorja Power tha se SHBA do të propozojnë një rezolutë, e cila të përfshijë masat që duhen marrë për pakësimin e luftëtarëve në zonat e luftës dhe për të përmirësuar ndarjen e informacionit dhe të të dhënave të zbulimit mes vendeve të ndryshme. Ajo tha se Uashingtoni shpreson të negociojë një rezolutë të ashpër, e cila të forcojë normat ndërkombëtare dhe t'i hapë rrugën qeverive, që të bëjnë më tepër për kërcënimin që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë, si ata të Shtetit Islamik, ose siç njihet ndryshe ISIL, - të cilët kanë terrorizuar civilët në Siri dhe në Irak.

"Tani ne jemi përqëndruar tek çështja se duhet pranuar që çdo fushatë kundër ISIL-it, duhet të jetë gjithëpërfshirëse; ajo duhet të jetë jo vetëm ushtarake, por duhet të përfshijë edhe palët e interesuara nga vende të ndryshme të botës. Nuk do të jetë e mjaftueshme që në këtë fushatë të marrin pjesë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe një numër i vogël partnerësh, të cilët tashmë kanë filluar të merrem me këtë kërcënim; në këtë fushatë nevojitet të marrin pjesë të gjitha vendet e botës,"- tha ambasadorja Power.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara tha se rezoluta do të kërkonte një punë të konsiderueshme nga komuniteti ndërkombëtar, që ta zbatojë atë me sukses, duke theksuar se kundërvënia ndaj ekstremizmit të dhunshëm është një përpjekje afatgjatë tepër e vështirë.

XS
SM
MD
LG