Lidhje

Kosova në përpjekje për t’u anëtarësuar në UNESCO


Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s që i zhvillon punimet nga sot deri më 18 nëntor, pritet që më 9 nëntor të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Konferenca e Përgjithshme e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë, hapi punimet në Paris, gjatë të cilave pritet edhe vendimi për pranimin e Kosovës si anëtare e kësaj agjencie.

Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende.

Vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës pritet të debatohet rreth datës 9 nëntor në kuadër të punimeve të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga sot deri më 18 nëntor.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb".

Kreu i Kishës Ortodokse në Serbi, patriarku Irinej, tha të martën se të gjithë duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur Kosovën. “Nëse ndodhë përdorimi i forcës, duhet të bëjmë gjithçka që me dashje apo me forcë ta kthejmë”, u tha ai mediave serbe gjatë një vizite në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Autoritetet e Kosovës thonë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Të dyja palët janë vënë në përpjekje për të siguruar mbështetje në këtë proces. Konferenca e Përgjithshme mblidhet çdo dy vjet.

Ndër mbështetësit e fuqishëm të Kosovës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kësaj radhe do të përpiqen të ruajnë ndikimin e tyre dhe vendin në Këshillin Ekzekutiv të kësaj agjencie. Shtetet e Bashkuara ndaluan të paguajnë detyrimet ndaj UNESCO-s pasi që kjo agjenci ne vitin 2011 pranoi Palestinën si anëtare të saj.

Shtetet e Bashkuara sigurojnë rreth 22 për qind të buxhetit të UNESCO-s, por ligji amerikan ndalon kontributet për organizatat ndërkombëtare që njohin shtetin e Palestinës.

Gjatë punimeve të Konferencës në të cilën do të shënohet edhe 70 vjetori i UNESCO-s, pritet të mbahet një sesion me udhëheqësit botërorë si dhe sesioni mbi luftimin e ekstremizmit nëpërmjet arsimimit.

XS
SM
MD
LG