Lidhje

Temat që pritet të dominojnë në OKB


Me një sfond të zymtë prej terrorizmit global dhe një krize shëndetësore vdekjeprurëse, udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Nju Jork këtë javë për takimin e tyre vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Grupi terrorist që e quan veten Shteti Islamik dhe përpjekjet për të kontrolluar përhapjen e virusit Ebola pritet të jenë temat dominuese të diskutimeve.

Dhuna në Irak dhe Siri, që është bërë terren ushqyes për grupet ekstremiste – veçanërisht për Shtetin Islamik – do të trajtohet nga bashkësia ndërkombëtare, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon:

"Unë e mirëpres konsensusin ndërkombëtar në rritje për të vepruar kundër këtij kërcënimi serioz për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale."

Një pjesë kryesore e kësaj përpjekje do të jetë një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së i kryesuar nga Presidenti amerikan Barack Obama rreth shtimit së luftëtarëve të huaj terroristë.

Profesor i Universitetit të Nju Jorkut Richard Gowan, thotë se takimi dërgon një mesazh të rëndësishëm politik.

"Presidenti Obama ka krijuar një koalicion prej 40 vendesh për të luftuar ISIS-in. Në OKB, ai do të rikonfirmojë ato përpjekje. Në fakt, shumica e punës kryesore tashmë është bërë, por OKB-ja është një mundësi e mirë për të folur për nevojën për të luftuar këta ekstremistë," thotë ai.

Gjithashtu me rëndësi në programin ndërkombëtar do të jetë dhe kufizimi i epidemisë së fundit të virusit Ebola, i cili ka vrarë gati gjysmën e rreth 5 mijë njerëzve të infektuar me të në Afrikën Perëndimore.

"Kjo nuk është vetëm një krizë shëndetësore; ajo ka pasoja të rënda humanitare, ekonomike dhe sociale që mund të përhapen përtej vendeve të prekura," u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Samantha Power thotë se takimet vjetore kanë si qëllim të bashkojnë udhëheqësit për të trajtuar sfidat globale:

"Të dyja këto kërcënime ilustrojnë qëllimin e themelimit të Kombeve të Bashkuara dhe qëllimin e takimeve vjetore mes krerëve të shteteve në Kombet e Bashkuara çdo sezon – që është se si të bashkojmë aftësitë tona për të bashkëpunuar, jo vetëm për kërcënimet e zakonshme, por për t'u marrë edhe me kërcënimet që asnjë komb nuk mund t’i trajtojë i vetëm."

Krizat në Afrikë, konflikti në Ukrainë dhe pasojat e luftës 50-ditore në Rripin e Gazës janë disa nga çështjet e tjera që do të diskutohen nga udhëheqësit. Sekretari i Përgjithshëm do të zhvillojë gjithashtu një takim mbi ndryshimin e klimës, për t’i kërkuar vendeve të angazhohen për të ulur nivelet e lëshimit të gazit ndotës.

Akademiku Richard Gowan thotë se viti i kaluar ka qenë një vit veçanërisht i vështirë për komunitetin ndërkombëtar:

"Ky ka qenë një vit me të vërtetë i dhimbshëm për diplomacinë e OKB-së, me luftën në Siri, luftimet për Ukrainën. Sfida prej ISIS-it dhe prej Ebolës janë dy gjëra mbi të cilat të gjitha qeveritë mund të pajtohen. Dhe do të ketë shtysë të madhe për t’u përpjekur të rivendoset pak unitet në OKB, pas një viti shumë, shumë përçarës."

Një pjesë e asaj diplomacie do të zhvillohet në sallën e e sapo-rinovuar të Asamblesë së Përgjithshme, faza e fundit e një projekti prej 2,2 miliardë dollarësh për rinovimin e ndërtesës së OKB-së, i cili zgjati gati gjashtë vjet dhe që e ka bërë kompleksin 70-vjeçar më të sigurt dhe me më shumë efikasitet në përdorimin e energjisë.

XS
SM
MD
LG