Lidhje

UNHCR, 9 mijë sirianë janë arratisur për në Liban


Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se të paktën 9 mijë sirianë janë arratisur për në Liban, që kur qeveria siriane filloi shtypjen e përgjakshme të protestave anti-qeveritare vitin e kaluar.

Zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit të Lartë në Beirut, Dana Suleiman tha për Zërin e Amerikës se Agjencia e OKB-së dhe qeveria libaneze kanë përllogaritur se mbi 7 mijë vetë kanë kaluar kufirin në Liban që nga prilli i vitit të kaluar. Të paktën 2 mijë sirianë të tjerë kaluan kufirin në luginën Bekaa gjatë ditëve të fundit, për t’i shpëtuar dhunës në rajonin Homs.

Një grup opozitar, Organizata Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut thotë se forcat siriane bombarduan sot një urë që përdorej për të evakuuar të plagosurit nga Homsi.

Një tjetër grup aktivist, Komiteti për Koordinimin Lokal Sirian tha se forcat qeveritare kanë bombarduar Maaret al-Numanin në provincën Idbil.

Agjencia shtetërore e lajmeve SANA citon presidentin Bashar al-Asad, sipas të cilit sirianët e kanë provuar vendosmërinë e tyre për të ndjekur reforma dhe për të luftuar “terrorizmin e mbështetur nga jashtë” të cilin qeveria siriane e fajëson për trazirat në vend.

XS
SM
MD
LG