Lidhje

UNHCR kërkon program risistemimi për refugjatët


Komisioneri i lartë për refugjatë i OKB-së Antonio Guterres, tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian

Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë mbi 200 mijë refugjatë në një “program rivendosjeje masive” për të lehtësuar valën e migruesve në kufijtë e BE-së që po kërkojnë strehim.

Antonio Guterres në një deklaratë të publikuar të premten kërkoi nga BE-ja që të zbatojë një program që kërkon përfshirjen e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, për të ndihmuar refugjatët që kanë nevojë për mbrojtje.

Guterres tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian. Ai tha se nga një BE e ndarë rreth kësaj çështjeje do të përfitojnë vetëm kontrabandistët dhe trafikantët.

Në ndërkohë, në qytetin hungarez Bicske, qindra refugjatë po refuzojnë të zbresin nga treni në të cilin kishin hipur në Budapest me shpresë për të shkuar në Gjermani e cila tha se do të pranojë 800 mijë kërkesa për statusin e refugjatit. Autoritetet hungareze ngulin këmbë se duhet të regjistrojnë migruesit sipas rregullave të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë në Bicske, thanë se vetëm 16 veta zbritën vullnetarisht nga treni për t’u regjistruar në kampin e refugjatëve, ndërsa qindra të tjerë qëndruan në tren duke brohoritur "jo kampe" dhe “Gjermani, Gjermani.”

Qindra mijëra migrues nga Siria kanë ndërmarrë udhëtime të dëshpëruara që nga janari për të arritur në Bashkimin Evropian në përpjekje për të ikur nga lufta dhe varfëria.

Greqia dhe Italia ishin ndalesat e para për shumë migrues që kishin marrë rrugën e rrezikshme nëpër Mesdhe.

Udhëheqësit francez, gjerman dhe italian, thanë të enjten se duhet të ketë një shpërndarje të detyrueshme dhe të drejtë të refugjatëve gjithandej BE-së.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, tha se shtetet anëtare të BE-së më një popullsi prej mbi 500 milionë banorësh, mund të absorbojnë një numër të madh refugjatësh për aq kohë sa migruesit nuk përqendrohen në vetëm disa vende.

Abdullah Kurdi, duke pritur për trupat e familjarëve të tij në një morg në Mugla të Turqisë

Abdullah Kurdi, duke pritur për trupat e familjarëve të tij në një morg në Mugla të Turqisë

Në një zhvillim tjetër, babai i refugjatit të vogël sirian, trupi i të cilit u gjet në bregdetin turk, po kthehet në Siri. Abdullah Kurdi, i biri i të cilit humbi jetën bashkë me të vëllain dhe të ëmën pas përmbysjes së barkës me refugjatë, po udhëton me tri arkivolet e familjarëve të tij për në qytetin Kobani në Siri.

Fotografitë zemërthyese të Aylanit trevjeçar, i veshur me bluze të kuqe dhe atlete, i shtirë me fytyrën e zhytur ne valët e detit, u shfaq në faqet e para në mbarë botën dhe në mediat sociale, duke u shndërruar në simbolin e krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Siri.

Aylani, vëllai i tij pesëvjeçar dhe e ëma, ishin në mesin e 12 sirianëve që u mbytën kur barka e tyre u përmbyt derisa po largohej nga Turqia për në ishullin grek, Kos.

I ati, që i mbijetoi udhëtimit, u tha gazetarëve se ëndrrat e tij janë rrënuar.

Vendet e bllokut 28 anëtarësh të BE-së planifikojnë të mbajnë një takim emergjent për refugjatët më 14 shtator.

XS
SM
MD
LG