Lidhje

UNICEF - studim për varfërinë e fëmijëve shqiptarë


Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, publikoi sot një raport për Shqipërinë, sipas të cilit 23 për qind e familjeve me fëmijë deri në 18 vjeç jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute, ndërsa 10 për qind e tyre jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme, me vetëm 30 - 50 dollarë në muaj.

Studimi i UNICEF-it zbuloi se përfitues të ndihmave ekonomike mujore janë vetëm 26 për qind të familjeve me fëmijë deri në 18 vjeç, dhe se ndihma ekonomike u mbulon këtyre familjeve të varfëra vetëm 20 për qind të nevojave jetësore.

Raporti i UNICEF-it në nivel kombëtar konstatoi se zyrtarët kanë një tendencë për të shkurtuar listën e përfituesve dhe jo gjithëpërfshirjen e të varfërve; madje dolën dyshime për abuzime me këto lista. Studimi thotë se 59 për qind e familjeve janë përfshirë pa të drejtë në skemën e ndihmës ekonomike, por 47 për qind e atyre që duhet të përfshihen në të vërtetë përjashtohen.

“Reduktimi i varfërisë fillon me fëmijët, me ushqimin e tyre, ilaçet, shkollat dhe integrimin e tyre në shoqëri - thotë Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri. - Jetesa e mirë e fëmijëve duhet arritur, edhe pse familjet e tyre mund të jenë të varfëra. Ndihma ekonomike nuk ndihmon lehtësimin e varfërisë së fëmijëve, por as nuk plotëson nevoja themelore të jetesës së tyre. Ndihma ekonomike është shumë e ulët dhe nuk sjell përfitime sociale për integrim në shoqëri. Familjet e varfra i harxhojnë paratë 1/3 për ushqim, 1/3 për mjekim dhe pjsën tjetër për shkollime nevoja të tjera”.

Studimi ka zbuluar një pamje tronditëse sa i takon përjashtimit social të fëmijëve; mbi 77 për qind e fëmijëve 16 deri 18 vjeç nuk ndjekin shkollën, dhe pjesa më e madhe e tyre u përkasin familjeve me shpenzimet më të ulta. Këto familje me të ardhura të ulta kanë në gjirin e tyre më shumë se gjysmën e fëmijëve që vuajnë nga të paktën një sëmundje kronike. Afro 50 për qind e fëmijëve të tyre me sëmundje kronike nuk përfitojnë rregullisht këshillime mjekësore.

Përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlef Palm, tha se ndihma ekonomike nuk duhet parë si një mekanizëm mbijetese, por si një investim për reduktimin e varfërisë. Ai kërkoi të rritet transparenca dhe të lehtësohen procedurat e ndihmës. Sipas studimit, puna duhet përqëndruar tek përfshirja e gjithë të varfërve dhe jo tek përjashtimi i jo të varfërve. Shkurtimi i listave nuk duhet të bëhet qëllim në vetvete.

“Ne nuk mund të pranojmë që një fëmijë i lindur nga prindër të varfër të mos ketë të njëjtat shanse si i kanë fëmijët e tjerë - thotë Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri. - Ndihma ekonomike duhet të jetë një mbështetje e madhe për ta. Ndihma sociale duhet t’u drejtohet fëmijëve; që ata të jenë të shëndetshëm, të ushqehen mirë dhe të mësojnë në shkollë, edhe pse i kanë familjet e varfëra. Kjo mund të bëhet me shumë mënyra; me paketa ushqimore për fëmijët, me kopshte të posaçme për ta”.

Studimi i UNICEF-it doli në përfundimin se ndihma ekonomike duhet të ndërpresë transmetimin e varfërisë nga një brez në tjetrin. Sistemi i ndihmës duhet korigjuar që edhe nëse prindi ngel i varfër, shteti duhet të sigurojë shërbime për ushqyerjen, mjekimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tij, të barabartë me të gjithë fëmijët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG