Lidhje

UNICEF i kërkon qeverisë shqiptare dhe bashkive të bashkëpunojnë për shërbimet sociale


UNICEF i kërkon qeverisë shqiptare dhe bashkive të bashkëpunojnë për shërbimet sociale
UNICEF i kërkon qeverisë shqiptare dhe bashkive të bashkëpunojnë për shërbimet sociale

Agjencia e OKB për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF i bëri sot thirrje Shqipërisë që të reformojë më tej strukturat e kujdesit social, për t’u ardhur më lehtë në ndihmë shtresave të pambrojtura. Ekspertët pohuan se sado të zhvillohet vendi dhe sado të reduktohet varfëria, gjithnjë do të mbeten grupe shoqërore që kanë nevojë për mbrojtje dhe përkrahje më të madhe. Përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlf Palm, tha se rritja ekonomike nuk i zgjidh të gjitha problemet shoqërore.

“Rritja e shpejtë ekonomike mund të krijojë zhbalancim dhe zhvlerësime sociale. Të pasurit bëhen akoma më të pasur nga rritja e shpejtë dhe të varfërit bëhen akoma më të varfër. Kështu që ndarja midis tyre bëhet akoma më e madhe. Kjo i shton problemet sociale dhe shkatërron unitetin shoqëror” ,- tha zoti Palm.

Ai tha se strategjia e Shqipërisë për mbrojtjen sociale është e mirë, por nuk duhet harruar se njerëzit në nevojë kanë probleme të ndryshme; disa kanë nevojë për para, disa kanë nevojë të mbrohen nga dhuna, disa kërkojnë punë, disa duan shkollë dhe integrim, disa persona duan të ndahen nga drogat. Aktualisht në Shqipëri disa institute të kujdesit shoqëror i mbështet qeveria, disa bashkia, disa janë private dhe disa janë mbështetur nga shoqëria civile, por këto nuk janë të bashkërenduara.

“Problemi qëndron se këto shërbime mund të mos gjenden aty ku nevoja për to është më e madhe," - thotë zoti Palm. "Për t’i çuar sa më pranë nevojtarëve këto shërbime duhen bërë disa ndryshime. Ndihma duhet të jetë e shumëllojshme, por të gjitha këto duhet të kenë një organizim të përbashkët. Një familje mund të marrë ndihmë dhe mbrojtje nga shumë burime, por shërbimet është e nevojshme që të integrohen”.

Zoti Palm tha se qeveria qendrore dhe pushteti vendor duhet të ndajnë me kujdes detyrat në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë vëmendjes dhe kujdesit të tyre. Ato duhet të bashkëpunojnë në të gjithë territorin e vendit, duke mbështetur edhe shoqatat e specializuara në disa fusha të caktuara, ndërsa fondet për kujdesin shoqëror duhet të rriten dhe ato duhen përdorur me transparencë, në mënyrë që të përfitojnë nevojtarët më të varfër.

Përfaqësuesi i UNICEF-it i bëri këto komente në konferencën kombëtare mbi reformimin e shërbimeve sociale. Institucione të ndryshme shtetërore shpërndajnë ndihma ekonomike apo përkrahje sociale të formave të ndryshme, por puna e tyre akoma është e pakoordinuar, veçanërisht sa u takon bashkive dhe ministrive.

XS
SM
MD
LG