Lidhje

UNICEF: Sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

  • Lisa Schlein

unicef logo

unicef logo

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF thotë se fëmijët me aftësi të kufizuara fizike e mendore janë ndër personat më të izoluar në botë. Në raportin vjetor mbi gjendjen e fëmijëve në botë, organizata thotë se ndalimi i diskriminimit ndaj fëmijëve handikapadë dhe ndihma për të zhvilluar aftësitë e tyre ekzistuese i shërben mbarë shoqërisë.

Raporti përfaqëson një analizë shqetësuese të diskriminimit dhe paragjykimeve që ekzistojnë për dhjetëra miliona fëmijë me aftësi të kufizuara në të gjitha rajonet e botës. Për këta fëmijë ekzistojnë të dhëna të pakta, pra përmasat e problemit mbeten të panjohura.

Megjithatë, sipas një statistike që përdoret gjerësisht, rreth 93 milionë fëmijë, ose një në njëzet me moshë 14 vjeç ose më të vegjël, jetojnë me paaftësi fizike apo mendore të shkallëve të ndryshme. Fëmijët me probleme të tilla ndeshin probleme më të theksuara në vende më të varfra, por UNICEF-i thotë se ata ndeshin diskriminim, paragjykime dhe izolim si në vende të varfra ashtu edhe të pasura.

Konsulentja e UNICEF-it për Përfshirjen e Popullatave të Izoluara, Paula Hunt thotë për Zërin e Amerikës se personat me aftësi të kufizuara thuajse nuk ekzistojnë për shoqërinë. Shumë nga fëmijët me aftësi të kufizuara, thotë ajo, nuk regjistrohen në gjendjen civile kur lindin, gjë që u mohon atyre ndihmat sociale dhe mbrojtjen ligjore aq të jevojshme për mbijetesën e tyre:

“Në disa vende, lindja e një fëmije me aftësi të kufizuara konsiderohet si ogur i keq, jo vetëm për fëmijën por për të gjithë familjen. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë gjasa më të larta të mos ndjekin shkollën, pasi shikohen si të paaftë për të mësuar. Shpesh këta fëmijë nuk kanë shokë, pra nuk përjetojnë shumë aspekte të jetës sociale”.

Raporti i UNICEF-it thotë se fëmijët me aftësi të kufizuara janë më të kërcënuar nga dhuna, keqtrajtimet, shfrytëzimi dhe lënia pas dore veçanërisht nëse mbahen të fshehur ose në institucione. Raporti vëren se 17 studime nga vende të zhvilluara arritën në përfundimin se fëmijët me aftësi të kufizuara janë 3-4 herë më të rrezikuar nga dhuna.

Raporti ngre pretendimin se shoqëria përfiton nëse i përfshin në rrjedhën e përgjithshme, në vend që t’i izolojë këta fëmijë. Shoqëria duhet të përqëndrohet në aftësitë dhe jo në kufizimet e këtyre fëmijëve, vëren raporti. Për shembull, duke e bërë arsimin më gjithë-përfshirës, këtyre fëmijëve u hapet horizonti dhe u ofrohen mundësi që deri tani kanë qenë të paarritshme.

Paula Hunt thotë se këta fëmijë nuk janë më të paaftë se fëmijët e tjerë:

“Për mua, përfitimi kryesor i një shoqërie që përfshin fëmijët me aftësi të kufizuara është se këta fëmijë bëhen një element normal në shoqëri. Si rrjedhojë, paragjykimet, frika që ekziston bëhet gjithnjë e më e vogël”.

Raporti u bën thirrje qeverive të ratifikojnë dhe zbatojnë Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. Raporti nxit qeveritë të mbështesin familjet në mënyrë që të jenë në gjendje të përballojnë koston e lartë të kujdesit për këta fëmijë.
XS
SM
MD
LG