Lidhje

UNICEF: Për mbrojtjen e fëmijëve duhet bashkëpunim


Ekspertët mendojnë se policia reagon shpejt ndaj denoncimeve, por struktura të tjera nuk punojnë për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve.

Këto ditë janë shtuar në Shqipëri denoncimet e qytetarëve ndaj personave që kryejnë provokime seksuale ndaj fëmijëve. Policia po heton një seri rastesh të denoncuara në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.

Kjo ndjeshmëri e veçantë e opinionit publik erdhi pas arrestimit të një personi të dyshuar për abuzime seksuale me të mitur. Por specialistët pohojnë se institucionet që mbrojnë fëmijët në Shqipëri punojnë në mënyrë të veçuar dhe mungon ende një sistem i plotë mbrojtjeje.


Arrestimi i bujshëm i një personi të dyshuar për abuzime seksuale me të mitur në periferi të Tiranës dhe dyshimet për vrasjen e njërit prej fëmijëve të abuzuar ka rritur denoncimet në polici për persona të tjerë dhe ka shtuar shumë ndjeshmërinë e opinionit publik ndaj çdo detaji që rrethon jetën e fëmijëve të tyre.

Brenda kësaj jave janë denoncuar në polici një duzinë personash që dyshohen se kanë bërë veprime të turpshme me të mitur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, në zona të qyteteve dhe fshatrave përreth tyre, për të cilat forcat e rendit kanë bërë arrestime dhe hetime të shpejta.

Ekspertë të kësaj fushe mendojnë se policia reagon shpejt ndaj denoncimeve, por struktura të tjera nuk punojnë për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve. Floriana Hima, specialiste e UNICEF për mbrojtjen e fëmijëve, thotë se “nismat për kujdesin ndaj fëmijëve janë të shkëputura dhe nuk janë pjesë e një sistemi të plotë. Sipas studimeve të UNICEF-it dhuna ndaj fëmijëve është ende e lartë. Një në 6 fëmijë pohon se pëson dhunë fizike. Për parandalimin e dhunës është i nevojshëm reagimi zinxhir i institucioneve - thotë zonja Hima, - sidomos raportimi i detyrueshëm i tyre".

Nga viti 2005 në bashki dhe komuna janë vendosur punonjës të mbrojtjes së fëmijëve. Me aprovimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve çdo bashki është e detyruar të ketë një punonjës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Një mungesë tjetër e madhe në këtë fushë është edhe numri i pamjaftueshëm dhe joprofesional i qendrave për kujdesin ndaj fëmijëve të viktimizuar, dhe është e nevojshme që shërbimet të shtohen dhe duhen profilizuar shërbimet, pohojnë ekspertët.

Opinioni publik shqiptar u trondit një javë më parë nga arrestimi i një personi që kishte marrë peng një fëmijë në lagje dhe përpiqej të abuzonte me të. Gjatë hetimeve ai pohoi se është autor i vrasjes së një tjetër fëmije, që kishte humbur qysh në muajin nëntor. Policia vazhdon kërkimin për trupin e të miturit në një qendër të përpunimit të mbetjeve urbane, ndonëse një pistë tjetër hetimi është edhe trafikimi i të miturve.
XS
SM
MD
LG