Lidhje

Përgjysmohet vdekshmëria e fëmijëve në Shqipëri


Sipas raportit më të fundit të UNICEF-it, Shqipëria ka ulur afro dy herë e gjysmë vdekshmërinë e fëmijëve nën 5 vjeç.

Sipas një raporti global mbi vdekshmërinë foshnjore të UNICEF dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka ulur afro dy herë e gjysmë vdekshmërinë e fëmijëve nën 5 vjeç. Mjekë të njohur dhe drejtues të shëndetësisë shqiptare pohojnë se ende ka shumë punë për të rritur cilësinë e mjekimeve ndaj fëmijëve. Sipas tyre, vdekshmëria foshnjore është më e lartë në zonat më të varfëra, ku edhe kultura mjekësore është më e dobët.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO)dhe Banka Botërore (WB) sapo kanë publikuar një raport, sipas të cilit vdekshmëria aktuale e fëmijëve nën moshën 5 vjeç është përgjysmuar në krahasim me vitin 1990. Raporti krahasues në statistika në të 20 viteve përfshin të gjithë globin dhe thekson se kjo arritje me përgjysmimin e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç në dy dekada është ende e pamjaftueshme dhe se shumica e vdekjeve të tjera mund të shmangen me masa të thjeshta.
Po në Shqipëri si është gjendja? Mes shumë shteteve të tjera, për Shqipërinë raporti i UNICEF tregon se vdekshmëria për grup moshën nën 5 vjeç është ulur nga 43 për një mijë fëmijë në vitin 1990 deri në 17 për një mijë fëmijë në 2012. Kjo ulje afro dy herë e gjysmë e ka renditur Shqipërinë ndër vendet me më shumë përparim në këtë fushë.
Mjeku i njohur dhe ministri aktual i shëndetësisë, Halim Kosova, thotë se këto rezultate janë arritur me politika social-ekonomike konstante të disa qeverive rresht dhe me punën këmbëngulëse të gjithë sistemit shqiptar të mjekësisë. Sipas tij, kultura shëndetësore e prindërve në mirërritjen e fëmijëve është duke u rritur. Zoti Kosova thotë se nga një studim i fundit 97 për qind e lindjeve kryhen nën kujdesin e mjekut, vetëm 3 për qind e nënave lindin ende në shtëpi, dhe pastaj 100 për qind e fëmijëve janë nën kontroll të plotë mjekësor deri sa bëhen gati për shkollë e më tej.
Një tjetër mjeke e shquar e kësaj fushe, Anila Godo, thotë se shifrat e vdekshmërisë foshnjore nga 0-1 vjeç dhe deri nën 5 vjeç janë vazhdimisht në ulje, dhe kjo tregon se standartet e shërbimit ndaj fëmijëve janë në rritje. Sipas saj, vdekshmëria foshnjore është ende e pranishme në ato zona ku edhe varfëria e popullatës është më e lartë, kryesisht në veri dhe veri-lindje të vendit.
Zonja Godo thotë se vdekshmëria foshnjore e këtyre zonave të largëta ulet sa më shumë ulet izolimi i tyre, sepse shkon më shpejt mjeku atje dhe prindërit e arrijnë spitalin më lehtë. Por, ajo thekson se rritja e kulturës shëndetësore të prindërve është një pikë kryesore në mirërritjen e fëmijëve.
Raport i përbashkët i UNICEF-it, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore u propozon qeverive nga masa të thjeshta parandaluese për vdekjen e fëmijëve qysh me vaksinat, vitaminat dhe kujdes të vazhdueshëm për nënën dhe fëmijën me ujë, ilaçe dhe ushqime, deri tek një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.
XS
SM
MD
LG