Lidhje

BE reagon ndaj masave për Universitetin e Evropës Qendrore në Hungari


Bashkimi Evropian thotë se po ndërmerr masa ligjore kundër Hungarisë lidhur me një ligj të ri që mund të sjellë mbylljen një universiteti në pronësi të huaj. Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest ishte themeluar nga miliarderi George Soros pas rënies së komunizmit. Qeveria e Hungarisë do që të imponojë kushte të reja të rrepta për vazhdimin e funksionimit të tij, duke shkaktuar protesta nëpër rrugët e kryeqytetit.

Në kulmin e tyre, protestat e ditëve të fundit kanë tërhequr 70 mijë vetë. Ata dalin në mbështetje të Universitetit të Evropës Qendrore.

“Budapesti po rizbulon aftësinë e vet për të ushtruar muskulin politik”, thotë një protestues.

Edhe Komisioni Evropian po përdor ndikimin e vet, duke paralajmëruar Hungarinë se ligji i ri që mund të shkaktojë mbylljen universitetit, nuk përputhet me parimet e lirisë së tregut dhe i ka dërguar një njoftim zyrtar Budapestit.

“Një njoftim zyrtar është hapi i parë në procedurën për shkelje, por autoritetet hungareze kanë një hapësirë kohore për të reaguar dhe në varësi të reagimit, komisioni do të vendosë për hapat e mëtejshëm”.

Analistët thonë se Bashkimi Evropian duket ta ketë humbur durimin me Hungarinë.

“Prej disa vitesh tashmë, Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë ka vepruar në skajet e debatueshme të demokracisë në kufizimet ndaj drejtësisë dhe medias. Dhe është interesante që ishte pikërisht ky hap drejt mbylljes së Universitetit, që duket se ishte veprimi i tejskajshëm.

Ligji i ri u kërkon të gjitha universiteteve në pronësi të huaj në Hungari që të kenë një kampus në vendin ku janë të akredituara. Universiteti i Evropës Qendrore nuk ka një qendër në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri Orban pretendon se universiteti po “mashtron” sepse jep diploma të njohura si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Hungari, gjë që e bën të ketë një avantazh të padrejtë ndaj institucioneve lokale. Por në një debat në Parlamentin Evropian ditët e fundit, ai mohoi ta kishte vënë në shënjestër Unversitetin e Evropës Qendrore.

“Universiteti do të vazhdojë të funksionojë në të gjitha rrethanat. Akuza është pa bazë dhe nuk mbështetet në fakte.”

Kritiku më i ashpër i zotit Orban, Frans Timmermans, nënpresidenti i parë i Komisionit Evropian, paralajmëroi se liria që u fitua pas rënies së komunizmit është nën kërcënim.

“Mbrojtja e këtyre lirive është tani një detyrim i përbashkët evropian dhe ne duhet të luftojmë për këtë”.

Por nuk dihet me siguri nëse Evropa ka vullnetin që të përballet me Hugarinë.

“Krerët e shteteve dhe qeverive të Këshillit Evropian hezitojnë të veprojnë dhe duket se ata diskriminojnë mes anëtarëve.”

Hungaria ka një muaj afat që t’i përgjigjet njoftimit formal të BE-së. Protestuesit thonë se do të vazhdojnë të dalin në rrugë deri kur universiteti të mos jetë më në rrezik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG