Lidhje

Debati për trajtimin preferencial të pakicave


Gjykata e Lartë në SHBA është e ndarë për sa i përket çështjes së trajtimit preferencial të pakicave. Disa grupime të shoqërisë amerikane mendojnë se trajtimi preferencial i afrikano-amerikanëve në proçesin e pranimit në shkolla është i rëndësishëm për t’u siguruar që të gjithë të kenë shanse të barabarta.

Mbështetësit dhe kundërshtarët e trajtimit preferencial u mblodhën javës së kaluar përpara Gjykatës së Lartë në Uashington.

Një çështje gjyqësore u hap nga Abigail Fisher, e cila thotë se nuk u pranua në Universitetin e Teksasit në Austin, për t’i lënë vendin një studenti afrikano-amerikan.

“Si shumica e amerikanëve, nuk mendoj se studentët duhen trajtuar ndryshe për shkak të racës.”

Në vitin 2003, Gjykata e Lartë pati vendosur se shkollat mund të përfshijnë kriterin e racës së aplikantëve në proçesin e pranimit, duke theksuar se është detyra e tyre që trupa studentore të jetë e shumëllojshme. Disa amerikanë mendojnë se zezakët kanë përfituar nga trajtimi preferencial, duke penalizuar grupimet e tjera racore.

“Është e dukshme se ka diskriminim ndaj fëmijëve tanë. Kinezo-amerikanët i kushtojnë shumë vëmendje arsimimit të fëmijëve, që u hap dyert drejt mundësive të reja. Ky shteg është bllokuar këtu në Amerikë, për shkak të ligjeve diskriminuese,” thotë një kinezo-amerikan.

Gjatë debatit prej 90 minutash, gjykatësit liberalë shprehën mbështetje për trajtimin preferencial akademik, ndërsa konservatorët vunë në pikëpyetje pasojat afatgjata të nxitjes së shumëllojshmërisë. Gjykatësi Antonin Scalia mendon se studentët zezakë me rezultate jo të mira, duhet të regjistrohen në shkolla me programe akademike më pak strikte.

“Kur e dëgjova Gjykatësin Scalia të thoshte se zezakët do ja dalin më mirë në shkolla dytësore, m’u duk sikur nuk po bisedohej në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, por në një tubim të Donald Trampit,” thotë Pastori Al Sharpton, aktivist i të drejtave të njeriut.

Mbështetësit e trajtimit preferencial thonë se vazhdimësia e diskriminimit racial në shkolla provon se pakicat kanë ende nevojë për mbështetje.

“Arsyeja pse ka probleme si në Universitetin e Mizurit dhe gjetiu, është sepse nuk ka diversitet të mjaftueshëm. Nëse Gjykata e Lartë nuk do të mbështesë vendimin e Universitetit të Teksasit, atëherë do të zhbëjmë atë çfarë është arritur nëpërmjet trajtimit preferencial,” thotë Steve Jackson, ish-drejtor i një shkolle të mesme ne Uashington.

Gjykata pritet të vendosë vitin që vjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG