Lidhje

Universiteti Amerikan i Tiranës përuron bibliotekën e re

  • Ilirian Agolli

Universiteti Amerikan i Tiranës përuron bibliotekën e re

Universiteti Amerikan i Tiranës përuron bibliotekën e re

Universiteti Amerikan i Tiranës përuroi sot bibliotekën “Nexhat dhe Manush Peshkëpia” me afro 50 mijë libra nga SHBA për çdo fushë të dijes dhe shkencave. Biblioteka është fryt i bashkëpunimit të profesorë shqiptarë me organizata kulturore amerikane dhe projektin ndëkombëtar të librit.

“Këta libra ofrojnë bazën për gjithë studentët në Tiranë dhe në Shqipëri që të nisin rrugën e zbulimeve shkencore. Sot mes ekonomisë së pasigurtë dhe ndryshimeve globale të vazhdueshme është më e rëndësishme se kurrë të jesh i shkolluar dhe i vetëdijshëm se si funksionon kjo botë” - tha në ceremoni Trejsi Teilor, drejtore e projektit ndërkombëtar të librit.

Biblioteka “Nexhat dhe Manush Peshkëpia” mban emrat e dy vëllezërve të njohur në bibliofilinë shqiptare para luftës së dytë botërore. Biblioteka e familjes Peshkëpia ka qenë një nga më të shquarat në Shqipërinë e viteve 40, por ajo u sekuestrua nga regjimi komunist pas pushkatimit të Manush Peshkëpisë.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ai tha se “hapja e kësaj bibilioteke është një ngjarje me rëndësi të veçantë për kryeqytetin shqiptar, si një bibliotekat universitare më të mëdha në rajon”.

Zëvendës-rektori i Universitetit Amerikan të Tiranës dhe dekani i fakultetit të shkencave dhe humaniteteve, dr. Ridvan Peshkëpia thotë se “biblioteka përfshin librat bazë të punimeve shkencore të çdo profesori dhe universiteti në SHBA”. Ai thotë se me përurimin e kësaj biblioteke realizoi edhe një ëndërr të hershme gjatë studimeve në SHBA.

Universitetet shqiptare kanë hasur pengesa për shumë vite në ndjekjen e botimeve shkencore bashkëkohore për shkak të izolimit të vendit gjatë diktaturës komuniste. Aktualisht universitetet shtetërore dhe private po e plotësojnë me shumë shpejtësi këtë mungesë që i pengonte në studimet e larta.

XS
SM
MD
LG