Lidhje

Universiteti i Merilandit fiton “Dhjetëgarëshin Diellor 2011”

  • Jeff Swicord

Universiteti i Merilandit fiton “Dhjetëgarëshin Diellor 2011”

Universiteti i Merilandit fiton “Dhjetëgarëshin Diellor 2011”


Në Uashington u zhvillua kohët e fundit një konkurs ndërkombëtar midis universiteteve, për ndërtimin më të mirë të një shtëpie me energji diellore. Në garën e organizuar në 10 kategori, morën pjesë19 skuadra dhe fitorja nuk ishte e lehtë.

Shtëpi me një shumëllojshmëri të veçanta u shfaqën brenda një kohe të shkurtër në këtë park përgjat lumit Potomac në Uashington. Shtëpitë ishin kushti i pjesëmarrjes në “Dhjetëgarëshin Diellor”, një konkurs 2 vjeçar për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e shtëpive që funksionojnë vetëm me energji diellore.

Richard King punon për Departamentin Amerikan të Energjisë dhe është organizatori i konkursit.

“Pika kulmore e veprimtarisë është vendosja e tyre këtu në Shëtitoren para Kongresit, por në të njëjtën kohë edhe zhvillimi i konkursit dhe zgjedhja e fituesit me shtëpinë më të mirë.”

Departamenti i Energjisë merr rreth 40 projekte të paraqitura prej universiteteve nga Shtetet e Bashkuara dhe bota. Ideve më të mira u jepen fonde për të filluar me vizatimin e skicave dhe më pas me ndërtimin. Këtë vit, u financuan 19 projekte të studentëve të arkitekturës, inxhinierisë dhe projektimit.

“Këtu kemi 6 kontenierë anijesh të ricikluar.”

Shi Fungshen nga Universiteti Tongi i Shangait tregon shtëpinë e ekipit nga Kina.

Pjesëmarrësit duhet të ndërtojnë një shtëpi që t’i përshtatet rajonit të botës prej nga vijnë. Skuadra kineze ndërtoi një shtëpi duke përdorur materialin e konteinerave të vjetër të Portit të Shangait.

“Shtratet Murphy mund të ngrihen...”

Qytetet kineze me popullsi të dendur nuk kanë shumë hapësirë. Prandaj, skuadra nga Kina planifikoi një pjesë të shtëpisë e cila mund të shndërrohet nga dy dhoma gjumi në një dhomë të madhe ndenjeje.

“Me mobilje portative mund të bëhet çdo gjë.”

Secila nga shtëpitë me energji diellore duhet të prodhojë jo më pak energji sesa shpenzon. Shtëpitë vlerësohen në dhjetë kategori, përfshi arkitekturën, inxhinierinë dhe koston e tyre. Shi Fungshen thotë se shtëpia e skuadrës nga Kina kushton më pak se 250 mijë dollarë.

“Në të vërtetë kushton më pak se një shtëpi normale në Shangai.”

Skuadrat zakonisht punojnë edhe mbi koncepte. Pasi uraganet shkatërruan lagjet pranë Universitetit të Ilinoit në Urbana-Shampein, studentët atje vendosën të projektojnë një shtëpi për viktimat e fatkeqësisë. Karolin Mesha është arkitekte e skuadrës së projektimit.

“Shtëpia jonë përbëhet nga dy struktura parafabrikate. Kur një fatkeqësi natyrore ndodh, ato mund të dërgohen me kamion në vendin e goditur brenda 24 orëve.”

Sistemi elektrik dhe ai i ujit duhet të jenë plotësisht funksionalë.

Shtëpia fituese e këtij viti, e Universitetit të Marilandit, i tërhoqi vëmendjen jurisë për shkak të ndërthurjes së disa teknologjive me energji diellore. Lin Khu është arkitekt i skuadrës së Marilandit.

“Në vend që të kishim vetëm furnizimin me energji diellore, ne donim të krijonim një planifikim të integruar për të përfshirë edhe depozitimin e ujit, sepse ky është një problem me të cilin po përballemi sot dhe do të vazhdojmë të përballemi në të ardhmen.”

Shtëpia e skuadrës së Universitetit të Marilandit ka gjithashtu edhe një zonë të vogël ujore pranë banjës me ujë të ricikluar nga vetë shtëpia.

Për organizatorët, “Dhjetëgarëshi Diellor” është një mundësi për të njohur brezin e ardhshëm të arkitektëve, inxhinierëve dhe modeluesve me teknologjitë me energji të pastër. Për studentët, kjo është një përvojë pune, e cila do t’u shërbejë për të gjithë jetën.

XS
SM
MD
LG