Lidhje

Universitetet ofrojnë kurse falas në internet


Zhvillimi i teknologjisë po ecën së bashku me hapjen e mundësive të reja për miliona njerëz anembanë botës

Në vitin 2011, një profesor i universitetit të Stanfordit ofroi një kurs falas përmes internetit për inteligjencën artificiale, dhe më shumë se 160 mijë studentë nga e gjithë bota u regjistruan në të. Suksesi i universitetit Stanford nxiti universitete të tjera të mëdha si Harvardi apo Instituti Teknologjik i Masaçusetsit, MIT, që të ndiqnin këtë prirje dhe kjo solli rritjen e vëmendjes dhe finacime për organizatat që zhvillonin programet e tyre bazuar tek arsimi përmes internetit.

Kjo klasë inxhinierie në universitetin Stanford është regjistruar edhe si kurs në internet. Universitetit ofron rreth 30 deri 40 kurse falas përmes internetit, ku janë regjistruar më shumë se 1.5 milion studentë. Ata kanë orare, detyra shtëpie dhe provime, por këto klasa nuk iu njihen për të marrë diplomën. John Mitchell, zëvendës dekani për mësimin në internet në universitetin Stanford, thotë se i ofron këto kurse si shërbim ndaj publikut.

“Ne jemi mësues. Kjo është ajo që ne duam të bëjmë. Nëse ka njerëz në botë që mësojnë nga ne, ky është vlerësimi për ne. Ky është motivi me të cilin ne nisim ditën”.

Këto klasa falas në internet janë edhe për të tërhequr studentët që të aplikojnë për t’u regjistruar në universitetin Stanfdord ose për të marrë klasa të tjera që nuk janë falas. Ndërsa arsimi në internet po përhapet në universitetet më të mëdha, zoti Mitchell thotë se të mësuarit përmes internetit nuk do të zëvendësojë përvojën e mjediseve universitare.

Por David Stavens, i cili ka studiuar në Stanford dhe së fundmi është bashkëthemelues i një universiteti falas në internet të quajtur Udacity, thotë se një arsimim cilësor po bëhet përherë e më i shtrenjtë për njerëzit.

“Është sistem i mirë për shumë njerëz por ka edhe njerëz të tjerë që janë njësoj të zgjuar, njësoj të përkushtuar, që punojnë shumë por që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara, dhe kjo është e padrejtë për ta”.

Ndërsa universiteti UDACITY është shoqatë fitimprurëse, shumica e klasave të tij janë falas dhe ato janë të trajtuara posaçërisht për studentët që studiojnë në internet. Aty përfshihen pjesë të shkurtra filmike, të pasuara nga ushtrime të projektuara për të mbajtur vëmendjen e studentëve në mësim dhe për të përforcuar mësimin.

Studentët mund të paguajnë për video konferenca me mësuesit ose mund të përdorin komunikimin falas në internet për të diskutuar problemet me shokët e tyre.

Ndërsa numri i universiteteve që ofrojnë klasa përmes intrnetit është në rritje, disa prej tyre janë falas e disa të tjera jo. Akademia Khan është një faqe falas jofitimprurëse në internet e cila ka rreth 3500 video klasa në gjuhë të ndryshme që përdoren nga 6 milion njerëz çdo muaj.

Salman Khan është themeluesi i kompanisë. Ai thotë se nuk ishte e vështirë që të gjente dhurues si fondacioni Bill dhe Melinda Gates për të ofruar një arsimim të bararbartë për këdo në botë.

“Me kaq pak përpjekje nga ana juaj, ju mund të krijoni një potencial thelbësor dhe të pakufizuar tek dikush tjetër, dhe mendoj që është e pafalshme nëse nuk ndërmerret një nismë e tillë”.

Kritikët thonë se ka të meta me të mësuarin përmes internetit, duke iu referuar studimeve që tregojnë një rënie të madhe të numrit të studentëve online. Por mbështetësit thonë se zhvillimi i teknologjisë po ecën së bashku me hapjen e mundësive të reja si kurrë më parë për miliona njerëz anembanë botës.
XS
SM
MD
LG