Lidhje

Pritshmëritë për bisedimet e paqes mbi Sirinë


Ndërkohë që bisedimet e paqes mbi Sirinë po vazhdojnë, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili po ndërmjetëson negociatat, thotë se ai nuk pret ndonjë arritje thelbësore në raundin e parë të bisedimeve.

Ndërmjetësi i OKB-së Lakhdar Brahimi nuk ishte i rezervuar kur u pyet se çfarë shpresonte të arrihej nga raundi i parë i bisedimeve të paqes mbi Sirinë.

"Të them të drejtën, unë nuk pres ndonjë arritje thelbësore në këtë raund bisedimesh. Unë jam shumë i kënaqur që ne ende jemi duke biseduar dhe se me ngadalësi ka filluar të shkrihet akulli. Të premten do të kemi një pushim nga bisedimet dhe do të diskutojmë mbi temat që do të trajtohen në raundin e ardhshëm të bisedimeve".

Zoti Brahimi tha se shpresonte se sesioni i dytë i bisedimeve do të jetë më i organizuar dhe më produktiv se sesioni i parë. Por, ai shtoi se nuk ishte i zhgënjyer nga mungesa e përparimit për shkak se ai nuk kishte pritur ndonjë rezultat që në raundin e parë.

Megjithatë, ai vuri në dukje faktin se përfaqësues të qeverisë siriane dhe opozitës janë duke folur me njëri-tjetrin dhe askush nuk ka braktisur bisedimet, dhe sipas tij kjo në vetvete është një arritje.

Ai tha se dy delegacionet do të kthehen për një raund të dytë të bisedimeve, pas një ndërprerje rreth një javëshe. Ai shpreson se me kalimin e kohës dy fraksionet ndërluftuese do të jenë në gjendje të pakësojnë dallimet e tyre. Por ai pranoi se rezultatet e arritura nuk janë në përputhje me pritjet e popullit në Siri dhe seriozitetin e krizës. Zoti Brahimi foli përmes një përkthyesi.

"Por, ata njerëz në Siri dhe ata që ishin këtu nuk janë takuar asnjëherë në tre vitet e fundit. Ata nuk janë ulur bashkë, as edhe një herë. Prandaj, ata nuk presin se do të ketë një shkop magjik që do të mundësojë zgjidhjen e të gjitha problemeve në një takim. Ka shumë gjëra për të cilat duhet diskutuar dhe do të jetë shumë mirë nëse në e bëjmë një hap të parë."

Më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë dhe 9 milionë të tjerë janë zhvendosur që nga fillimi i luftës civile në Siri gati tre vjet më parë. Qeveria siriane dhe rebelët duhet të tejkalojnë urrejtjet e shumta që kanë grumbulluar ndaj njëri tjetrit para se të mund të arrijnë një marrëveshje politike për t'i dhënë fund luftës.

Zoti Brahimi tha se dje të dyja palët shprehën mendimet e tyre në lidhje me krijimin e një qeverie kalimtare. Ai nuk dha hollësi të tjera por tha se bisedimet mbi krijimin e një qeveria kalimtare janë në fazën paraprake.

Të dy palët kanë dallime të mëdha në lidhje me krijimin e një qeverie të ardhshme kalimtare për Sirinë. Opozita nuk do që presidenti Bashar al - Assad të jetë pjesë e saj, ndërsa qeveria thotë se ai duhet të mbetet në pushtet.

Në frontin humanitar, zoti Brahimi tha se ende nuk është arritur një marrëveshje për dërgimin e ndihmave urgjente ushqimore për rreth tre mijë njerëz të uritur në qytetin e rrethuar të Homsit. Ai tha se negociatat midis Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë siriane për këtë çështje janë duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG