Lidhje

O'Brien: Shpëtojeni Aleppon që të mos bëhet varrezë gjigante


Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara u bëri thirrje vendeve me ndikim që të bëjnë gjithë çfarë është në dorën e tyre që të mbrojnë civilët në Aleppon lindore dhe të shpëtojnë qytetin, që dikur ishte më i madhi në Sir, të mos shndërrohet në "varrezë gjigante".

Stephen O’Brien, tha në mbledhjen emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se mbi 25 mijë njerëz janë zhvendosur nga zona lindore e Aleppos së kontrolluar nga kryengritësit që nga e shtuna, por numrat po ndryshojnë "çdo orë e çdo ditë".

“Mijëra të tjerë do të ikin nëse luftimet zgjerohen dhe intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme", tha ai nëpërmjet një video lidhjeje nga Londra.

Derisa vëmendja e botës është përqendruar në mbi 250 mijë civilë të bllokuar në Aleppon lindore, O’Brien nënvizoi se janë 700 mijë të tjerë nën rrethim nëpër zona të tjera gjithandej Sirisë.

“Ata janë të bllokuar, janë të shtangur - dimri po afrohet dhe derisa ndjekin zhvillimet rrëqethëse në Aleppo, pyesin: a jam unë në radhë?" tha ai.

O’Brien i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të tejkalojë ndarjet rreth Sirisë, të "ndalojë brutalitetin dhe të parandalojë mundësinë që një fat i tillë të godasë sirianët tjerë".

Ai tha se tri gjera janë thelbësore: mbrojtja e civilëve, qasja e papenguar dhe e sigurtë për punonjësit humanitarë dhe përfundimi i rrethimit.

I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, duke ju drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nga Gjeneva, tha se gati 40 për qind e zonave që mbaheshin nga grupet e armatosura opozitare, tash janë në duart e forcave qeveritare.

“Të mos gabohemi", tha ai. "Asnjë nga zhvillimet ushtarake për të cilat jemi dëshmitarë, mund të çojë në atë që mund ta quajmë zgjidhje e qëndrueshme dhe e përhershme ushtarake", tërhoqi vërejtjen ai.

De Mistura tha se vetëm një zgjidhje politike negociuar mund t'i jap fund krizës.

Në një intervistë më Zërin e Amerikës, të mërkurën, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, i bëri jehonë këtij përfundimi.

“Ata mund të marrin zonat e populluara, përfshirë edhe ndonjë thelbësore si Aleppoja lindore duke shkaktuar një masakër të tmerrshme, por lufta nuk do të përfundojë", tha ajo. "Nëse asgjë tjetër, do të kemi më shumë njerëz të gatshëm të rrokin armët kundër regjimit. Ajo që mund të ndalë luftën, është zgjidhja politike".

Ajo tha se administrata e presidentit Barack Obama do të punojë deri në ditën e fundit për të nxitur një paqe të negociuar.

Britania dhe Franca thirren takimin emergjent. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara i kritikoi ata duke thënë se janë të shqetësuar, meqë kryengritësit e mbështetur prej tyre janë duke humbur.

“Banditët, që ta bashkë me të tjerë i kanë përkëdhelur dhe nxitur, janë duke u mundur. Gati gjysma e qytetit është çliruar”, tha Vitaly Churkin. “Kjo mund të jetë fitorja më e madhe edhe morale për ushtrinë siriane që nga viti 2012", tha ai.

Aleppo, një ndër qytetet më të vjetra të banuara në vazhdimësi në botë, ishte zona më e populluar urbane Sirisë dhe kryeqyteti i saj tregtar për shekuj me radhë. Këtu e pesë vjet më parë, popullsia e saj arrinte në rreth 2.5 milionë. Por, që kur është shndërruar në fushëbetejën kryesore në luftën qytetare siriane në mes të vitit 2012, Aleppoja është shkatërruar.

I dërguari i OKB-së, de Mistura, pritet të informojë Këshillin e Sigurimit për zhvillimet në Siri më 8 dhjetor dhe tha që do të japë hollësi se cilat janë mundësitë për një proces politik.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, rreth 300 civilë, përfshirë 33 fëmijë janë vrarë në Aleppon lindore që kur filluan sulmet e forcave qeveritare më herët gjatë muajit nëntor.

Grupi kryesor opozitar sirian, Koalicioni Kombëtar, i bëri thirrje OKB-së që të "ndërmarr hapa të menjëhershëm për të mbrojtur civilët në Aleppo dhe për të ndalur sulmin barbar kundër tyre".

Aleppoja është ne qendër të përpjekjeve ushtarake siriane të mbështetura nga sulmet ajrore ruse dhe Aleppoja lindore është në rrethim për më shumë se katër muaj. Ushtria filloi bombardimet e renda mbi qytet dy javë më parë dhe të hënën mori nën kontroll një nga lagjet kryesore.

Në Washington, Departamenti i Shteti, shprehu "zemërimin e thellë" me bombardimet e fundit ne Aleppo dhe tha se Moska duhet të mbahet përgjegjëse.

Përpjekjet e deritashme për të ndërprerë luftimet çuan në armëpushime afatshkurtra por jo në përparim drejt përfundimit të luftës, që filloi në mars të vitit 2011.

XS
SM
MD
LG