Lidhje

Uragani Ajrinë zbutet, rreziqet vazhdojnë


Nju Jork, 28 gusht
Nju Jork, 28 gusht

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano i ka paralajmëruar njerëzit përgjatë rajonit të goditur nga stuhia tropikale Ajrinë se edhe pse stuhia e ka kaluar zonën e tyre, rreziku vazhdon të mbetet.

Sekretarja Napolitano tha sot se linjat elektrike të rrëzuara, përmbytjet, problemet me gjeneratorët dhe pemët e rrëzuara përbëjnë kërcënim për njerëzit edhe pas largimit të stuhisë.

Edhe pse uragani vazhdon rrugën drejt verilindjes së SHBA, shefja Agjencisë së Sigurisë Kombëtare tha se ka filluar vlerësimi i dëmeve në shtetet jugore të Karolinës së Veriut dhe Virxhinias. Nga vlerësim i përgjithshëm që i është bërë dëmeve, del se ato mund të kapin shifrën e 200 deri 400 milionë dollarëve vetëm në këto dy shtete.

Uragani Ajrinë, një stuhi tropikale e fuqishme, vazhdon të godasë brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara me shi të dendur dhe erëra të forta, duke lënë deri tani të paktën 15 njerëz të vdekur, ndërkohë që trafiku tokësor dhe ajror është paralizuar.

Uragani ka goditur Nju Jorkun sot në mëngjes, por ndërsa ju afrua qytetit, fuqia e erërave u zbut. Përsëri një pjesë e rrugëve të qytetit u përmbytën. Metereologët thonë se Uragani ka shkaktuar rrëzimin e pemëve jo vetëm për shkak të fuqisë së madhe, por edhe për shkak të shirave të shumtë që e kanë lagur tokën dhe rrënjët në thellësi të saj. Disa nga vdekjet kanë ndodhur pikërisht për shkak të rrëzimit të pemëve.

Qendra Kombëtare e Uraganëve thotë se shpjetësia e erërave drejt verilindjes ka arritur në 95 kilometra në orë. Pritet që uragani të arrijë sonte në Kanada. Në rajonet ku ka kaluar, zyrtarët thonë se dëmet nuk kanë qenë aq të mëdha sa pritej.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama është informuar lidhur me përgjigjen që i është dhënë stuhisë nga ekipet e emergjencës.

XS
SM
MD
LG