Lidhje

7 vjet pas uraganit Katrina rindërtimi i Nju Orlinsit ende ndeshet me vështirësi

  • Tala Hadavi

Më 29 gusht 2005, gjatë një periudhe 12 orëshe, uragani Katrina goditi bregdetin e Gjirit të Shteteve të Bashkuara me erëra që arrinin shpejtësinë deri në 233 kilometra në orë duke vrarë më shumë se 1 mijë e 700 njerëz dhe duke zhvendosur qindra mijëra të tjerë. Shtatë vjet më vonë, banorët e kësaj zone janë ende janë duke u përballur me vështirësi në rindërtimin e shtëpive dhe jetës së tyre. Ndërkohë që efektet e stuhisë janë ende të dukshme, ka edhe disa përmirësime të cilat bien në sy. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tala Hadavi bisedoi me dy artistë lokalë të cilët kanë ndjekur procesin e rindërtimit.

Pas uraganit Katrina, qyteti i Nju Orleansit ishte shndërruar në gërmadha. Njëqind e njëzet nga 200 mijë shtëpitë e qytetit u shkatërruan. Tetëdhjetë për qind e qytetit u përmbyt.

“Qytetin nuk e shkatërroi uragani, por rënia e digave”.

Shkrimtari, John Bigounet në lidhje me uraganin dhe pasojat e tij, fajëson sistemin e mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe përmbytjet.

“Është e qartë se uji nuk kishte arritur mbi digat. Ato janë dëmtuar nga themelet. Arsyeja që ato u çanë nga fundi ishte rezultat i përdorimi të një sasie të pamjaftueshme të çelikut”.

Katërmbëdhjetë miliardë dollarë janë shpenzuar deri tani për rindërtimin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet.

Miliarda dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e pjesëve të tjera të qytetit. Por fotografi Frank Relle që ka dokumentuar rimëkëmbjen e qytetit, thotë se rezultatet, deri tani, kanë qenë të ndryshme.

“Një bibliotekë e re është duke u ndërtuar këtu. Por në të njëjtën kohë ka edhe individë që janë duke u ndeshur me vështirësi në procesin e rindërtimit. Kjo shtëpi u rrafshua nga uragani Katrina. Ende ka disa fotografi në dysheme. Kjo është një çertifikatë e lindjes e një personi”.

Menjëherë pas fatkeqësisë, shumë profesionistë të rinj shkuan në Nju Orleans për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit. Shumë prej tyre vendosën të qëndronin aty, përfshirë Milo Deamgan.

“Kjo është një kohë interesante për Nju Orleansin. Janë duke u bërë punë të ndryshme urbane, po zbatohen politika të ndryshme dhe duket se faza e rimëkëmbjes ka mbaruar. Tani po bëhen plane strategjike afat-gjata”.

John Bigounet thotë se Nju Orleans tani ka më pak varfëri se më parë, por kryesisht për shkak se shumë njerëz të varfër thjesht nuk kanë mundur të kthehen këtu.

“Qyteti është paksa më i pasur, më i ri dhe me më shumë të bardhë se para përmbytjeve. Qyteti duket se është në një periudhë ndryshimesh. Dhe ende mund të vërehet lodhja nga dëmet që ka përjetuar në gjashtë vitet e fundit”.

Relle Frank thotë se kjo është historia e tanishme e qytetit.

“Për një fotograf dokumentar nganjëherë është e çuditshme pasi të duhet një fatkeqësi për të nxjerr në pah një zë. Por për mua arsyeja se pse doja ta bëja këtë ishte mundësia për të biseduar për gjëra të vështira, por edhe për t’i dhënë njerëzve shpresë”.

Uragani Katrina ka ndryshuar Nju Orleansin. Ka fshirë pjesë të mëdha të qytetit dhe ato pjesë që janë rindërtuar ende kanë nevojë për më shumë punë. Por qyteti ka filluar të marrë një pamje të re.

“Ky ishte një vend ku unë dhe gruaja ime mendojmë se mund të bëjmë ndryshim më të madh se kudo tjetër në botë”.

Ky është një qytet, banorët e ri dhe banorët e kthyer të të cilit kanë një vizion të njejtë për të ardhmen e tij.

XS
SM
MD
LG