Lidhje

Uragani Matthew: mbi 100 të vdekur


Parashikuesit e motit presin që uragani Matthew të forcohet ndërsa zhvendoset nga pjesa veriore e ishujve Bahamas dhe drejtohet për në shtetin juglindor amerikan të Floridas. Uragani ka shkaktuar vdekjen e të paktën 108 personave në Haiti si stuhi e kategorisë 4, më e fuqishmja që ka goditur vendin në 52 vjet.

Qendra Kombëtare Amerikane e Uraganëve tha se stuhia ka ruajtur erërat me shpejtësi rreth 185 kilometra në orë ndërsa iu afrua ishullit Andros dhe Nassau. Ata paralajmëruan për rrezikun e stuhisë dhe mundësinë e të paktën 20 centimetrave rreshje.

Parashikuesit mendojnë se uragani do të godasë bregun lindor të Floridas të premten pasi të forcohet nga stuhi e kategorisë 3 në kategorinë 4.

"Kjo është një stuhi e rrezikshme. Në se jetoni në një zone të ulët ose pranë një ishulli apo në zona që goditen nga përmbytjet, largohuni. Mos prisni për urdhër. Largohuni tani”, tha guvernatori i Floridas Rick Scott, i cili ka urdhëruar evakuimin e 1,5 milionë njerëzve.

Haiti shtyu zgjedhjet presidenciale të planifikuara për të djelën, pasi shumë shkolla dhe kisha që do të shërbenin si qendra votimi po përdoren si strehë për mijëra njerëz të zhvendosur.

Uragani Matthew kaloi gjithashtu pjesën lindore me popullësi të pakët të Kubës të martën në mbrëmje dhe të mërkurën në mëngjes. Dhjetra shtëpi u shkatërruan dhe qindra të tjera u dëmtuan në qytetin Baracoa.

Matthew është uragani më i fuqishëm që ka kaluar mbi Atlantik dhe Detin e Karaibeve që nga uragani Felix në vitin 2007.

XS
SM
MD
LG