Lidhje

SHBA: Përgatitje për Uraganin Sandy


Banorët në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara po përgatiten për frontin e fortë atmosferik që po lëviz drejt veriut, pasi solli dëme shkatërrimtare në Bahamas e Karaibe. Urgani Sandy, që dje u kategorizua si stuhi tropikale, është fuqizuar dhe tani që po lëviz drejt veriut pranë brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara ka marrë përsëri fuqinë e një uragani. Sandy pritet të sjellë probleme të shumta për miliona banorë. Uragani la të paktën 43 të vdekur gjatë itinerarit të saj nëpër ishujt karaibe.

Parashikimet e motit paralajmërojnë se uragani që shkatërroi një pjesë të Karaibeve do të ndërthuret me sisteme të tjera moti që po lëvizin nga veriu drejt jugut dhe do të krijojë probleme të mëdha:

“Po shndërrohet në një sistem të madh moti. Për këtë arsye është shumë shqetësuese për ne, pasi në 3-4 ditët e ardhshme do të vazhdojë të zgjerohet”.

Qendra Kombëtare e Uraganeve e cilëson Sandy-n si një ciklon shumë të madh me fuqinë e uraganit, me erëra me shpejtësi deri në 160 km në orë.

Në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, banorët po bëjnë përgatitje të ngutshme për stuhinë që afron. Douglas Jumper në Pensilvani tregon kujdes që objektet që ndodhen në mjedis të hapur të mos dëmtohen nga erërat e furishme.

Para se të lëvizte drejt veriut, uragani Sandy goditi Bahamat, Kubën, Haitin dhe Xhamajkën duke lënë të vdekur të paktën 38 vetë.

Në Kubë, Ana Portriendo nga Santiago thotë se Uragani Sandy ishte stuhija më e fortë që ka parë gjithë jetën:

“Banorët e Santiagos nuk e kanë provuar ndonjëherë një stuhi kaq të fortë. Është hera e parë në 75 vjet”.

Mendohet se ende nuk janë identifikuar të gjitha viktimat e uraganit. Ndërkaq, uragani po i afrohet bregut lindor të Shteteve të Bashkuara. Meteorologët thonë se Sandy ka gjasa të godasë brigjet e shtetit Delauer dhe pjesën jugore të Nju Xhërsit të hënën në mbrëmje deri në orët e para të së martës.
XS
SM
MD
LG