Lidhje

Zgjerimi urban në qytetin e Hjustonit


Qyteti i Hjustonit në shtetin e Teksasit dhe periferitë përreth, po rriten shpejt dhe po përhapen edhe nëpër zonat pyjore të cilat janë vendbanimi i shumë specieve dhe kafshëve të egra indigjene. Udhëheqësit lokalë dhe shumë ambjentalistë po përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes rritjes së Hjustonit dhe ruajtjes së natyrës.

Në një fermë, në pyjet në veri-perëndim të Hjustonit, disa drerë të vegjël të cilët janë jetimë pasi e ëma iu vra, po rriten brenda një zone të sigurtë dhe të rrethuar.

Ata madje ushqehen rregullisht nga një mëndeshë.

Për këta drerë të vegjël, një strehë si kjo u shpëton jetën.

Aty afër, tek qendra e organizatës Miqtë e Kafshëve të Egra të Teksasit në veriperëndim të Hjustonit, vullnetarët ndihmojnë me kujdesjen e disa kafshëve të lënduara.

Kjo gjeraqinë me bisht të kuq po shërohet nga një përplasje me një xham dritareje.

Drejtoresha e qendrës Lisa Wolling po e ndihmon atë me ushtrimet për krahët, në mënyrë që të jetë në gjendje të fluturojë dhe t’i rikthehet natyrës.

“Ajo ka nevojë të jetë në këtë zonë ku mundet të fluturojë, në mënyrë që t’i shtohet rezistenca.”

Kafshët e kësaj zone po ndeshen me një krizë ndërkohë që sipërmarrësit e ndërtimeve vazhdojnë me ndërtimin e shtëpive dhe rrugëve të cilat i lidhin me Hjustonin.

Presidentja e organizatës Miqtë e Kafshëve të Egra të Teksasit, Janette Winkelmann thotë se organizata e saj e financuar privatisht mund të ndihmojë vetëm një përqindje të vogël të kafshëve të zhvendosura.

“Ata nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë. Përfundojnë nëpër rrugë, ose duke u endur nëpër oborret e shtëpive të njerëzve.”

Përderisa toka është relativisht e lirë në çmim dhe e bollshme rreth qytetit, kjo zonë metropolitane po zgjerohet në çdo drejtim.

Zonja Ann Taylor është drejtorja ekzekutive e zyrës së Hjustonit të Institutit të Tokës Urbane, një organizatë jo-fitimprurëse përkushtuar planifikimit dhe zhvillimit urban.

“Zona e Hjustonit është aq e madhe sa mund të zëjë brenda saj disa qytete si Nju Jorku, Uashingtoni, Bostoni, San Francisko, Sietëll, Mineapolis dhe Majami.”

Zgjidhja, thotë ajo, është promovimi i dendësisë urbane.

“Ai është kyçi: të jetojnë më shumë njerëz në një hapësirë më të vogël në mënyrë që të ruhet mjedisi.”

Qyteti është përpjekur të krijojë më shumë parqe dhe zona natyrore, por edhe periferitë kanë bërë të njëjtën gjë, si perfieria The Woodlands, ku plani kryesor është ruajtja e pemëve.

Por suksesi ekonomik i Hjustonit krijon një sfidë të madhe, thotë zonja Taylor.

“Ne e dimë se në 15 vitet e ardhshme popullsia e qytetit do të shtohet me rreth 2 milion e gjysëm njerëz të tjerë dhe ata do të jetojnë diku.”

Lajmi i mirë është se shumë profesionistë të rinj preferojnë të jetojnë afër qendrës së qytetit, ku mund të ecin për të vizituar vendet e dëshiruara.

Zhvillimi i lagjeve të qytetit, në vend të zgjerimit jashtë tij, mund të jetë çelësi për t’u dhënë kafshëve të egra të zonës mundësi për të mbijetuar.
XS
SM
MD
LG