Lidhje

Urdhër-arresti për Moamar Gadafin mund ta ndërlikojë largimin e tij

  • Zëri Amerikës

Urdhër-arresti për Moamar Gadafin mund ta ndërlikojë largimin e tij

Urdhër-arresti për Moamar Gadafin mund ta ndërlikojë largimin e tij

Gjykata Ndërkombëtare Penale shpalli të hënën urdhër-arreste për udhëheqësin libian, Moamer Gadafi, të birin dhe një aleat të besuar të tij. Por disa analistë thonë se kjo ia mbyll të gjitha rrugët Gadafit. Pra mund ta ndërlikojë çështjen në rast se ai vendos të largohet nga vendi dhe të kërkojë strehim diku tjetër.

Rrugët e Misratës që kontrollohet nga rebelët shpërthyen në ngazëllim kur u përhap lajmi se Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar një urdhër-arrest për udhëheqësin libian Moamer Gadafi.

Dje, prokurori i lartë i Gjykatës, Luis Moreno Ocampo, u bëri thirrje bashkëpunëtorëve kryesorë të Gadafit që ta dorëzojnë atë.

"Sot, është koha që ai të arrestohet," tha prokurori.

Por njerëzit pranë kreut libian e kundërshtojnë autoritetin e gjykatës.

"Kjo gjykatë nuk është veçse një mbulesë për operacionet ushtarake të NATO-s, e cila u përpoq dhe madje deklaroi se do të vriste udhëheqësin dhe familjen e tij. Këto veprime të NATO-s janë krime kundër njerëzimit," tha Mohammed Al-Gamudi, ministri libian i drejtësisë.

Ai tha gjithashtu se Libia mund të kërkojë rrugë për të ndjekur penalisht NATO-n për krime kundër njerëzimit. Prej më shumë se 100 ditësh, NATO-ja ka vënë në shënjestër objektiva të qeverisë libiane.

Libia nuk është palë nënshkruese e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por janë palë vendet që mund t’i ofrojnë strehim Gadafit. Dhe kjo e komplikon çështjen, thotë Bret Schejfer, një analist i Fondacionit Heritage në Uashington.

"Ne dimë se shumë qeveri kishin kontaktuar Gadafin për t’i ofruar atij strehim dhe kishte zëra se ai po i shqyrtonte këto mundësi deri në momentin kur çështja e tij iu referua Gjykatës."

Referimi erdhi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i cili kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare Penale të nisë një hetim për zotin Gadafi dhe ndihmësit e tij. Por në momentin që bëhet rekomandimi, gjykata mund të veprojnë si e pavarur. Me pak fjalë, nuk ka kthim prapa.

Presioni ndërkombëtar mund të jetë i madh ndaj vendeve që pranojnë udhëheqësit për të cilët ka urdhër-arreste.

Ish-presidenti i Liberisë, Çarlz Tejlor iku në Nigeri kur Gjykata e posaçme për Sierra Leonen, gjithashtu në Hagë, lëshoi një urdhër-arrest për të nën akuzat për krime lufte. Më në fund nigerianët e dorëzuan Tejlorin. Zoti Gadafi ka thënë se ky shembull tregon që udhëheqësit e ndryshëm nuk do të pranojnë oferta të tilla në të ardhmen.

Zoti Shejfer thotë se ai do të donte që vetë libianët ta gjykonin zotin Gadafi.

"Në një botë ideale zgjidhja do të ishte që forcat rebele të dalin fitimtare, Gadafi dhe bashkëpunëtorët e tij të arrestohen dhe pastaj të mbahen përgjegjës në Libi."

Zoti Gadafi ka thënë shumë herë publikisht se ai do të qëndrojë dhe do të luftojë deri në fund në vendin e tij. Me urdhër-arrestin e tanishëm që e bën atë person të kërkuar, ai mund të mos ketë tjetër zgjidhje.

XS
SM
MD
LG