Lidhje

Uria dhe obeziteti janë çështje të sigurisë së ushqimit

  • Joe Capua

Obesity is a growing problem worldwide.

Obesity is a growing problem worldwide.

Kombet e Bashkuara thonë se afro një miliardë njerëz në botë janë të uritur. Por njëkohësisht qindra milionë njerëz janë obezë. Një aktivist dhe autor thotë se zgjidhja e këtyre krizave ka lidhje me ata që kanë pushtetin për prodhimin e ushqimit dhe tregëtimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Joe de Capua njofton:

Raj Patel është autor i librit “I ngopur dhe i uritur: Beteja e fshehtë për sistemit botëror të ushqimit”. Ai thotë se uria dhe mbipesha e tepërt nuk kanë lidhje vetëm me të ngrënit shumë apo pak. Ka të bëjë edhe me llojin e ushqimit që njerëzit hanë dhe sistemet dhe institucionet që drejtojnë konsumin.

“Unë kam një lidhje shumë personale me pushtetin në sistemin e ushqimit. Së pari, prindërit e mi kanë një dyqan ku shiten kinkaleri dhe ushqime të shpejta. Kështuqë ata shesin artikuj të ëmbël, si edhe me yndyrna dhe sheqer që po e bëjnë njerëzimin më shumë mbi peshë. Por njëkohësisht familja ime po vuan pasojat. Nuk ka asnjë mashkull në familjen time mbi 50 vjeç që të mos ketë diabet”.

Patel është studiues në Institutin për Politika të Ushqimit dhe Zhvillimit në Oakland të Kalifornisë dhe një bashkëpunëtor shkencor i Universitetit të KwaZulu-Natal në Afrikën e Jugut.

Investimet në bujqësi janë rritur në gjithë botën për të ushqyer një popullsi që pritet të arrijë në 9 miliardë banorë deri në vitin 2050. Por ndërsa ekonomitë në zhvillim rriten në Afrikë dhe Azi, konsumatorët në ato zona po përdorin një dietë më perëndimore. Shumë thonë se kjo dietë është përgjegjëse për obezitetin, si edhe për diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Megjithatë shumë të tjerë thonë se njerëzit mund të zgjedhin se çfarë të hanë dhe nuk kanë pse të blejnë ushqime të mbushura me yndyrë, kripë dhe sheqer.

“Argumenti i zgjedhjes përmendet shpesh kur bëhet fjalë se kush ka pushtetin në sistemin e ushqimeve dhe në të kuptuarit e kësaj çështjeje si prindër. Sepse si prindër ne na thuhet se jemi ne njerëzit që duhet t’i rrisim fëmijët të zotët që të bëjnë përzgjedhje të drejta. Mendoj se kjo është e drejtë. Por nëse jemi ne që u japim formë zgjedhjeve që bëjnë fëmijët atëherë duhet që të kemi mundësi të nisemi nga një pike e balancuar”.

Zoti Patel thotë se kjo nuk është e mundur në realitetin e tanishëm.

“Kur shikon se sa shumë para shpenzohen për reklama për artikuj ushqimorë, shkalla e reklamave për ushqimet e mira dhe të këqija është mesatarisht 1 me 500. Domethënë për çdo dollar që shpenzohet për reklama për fruta dhe perime, 500 shpenzohen për reklama për ushqime jo të freskëta”.

Ai thotë se vetëm një numër i vogël korporatash kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut të ushqimeve. Ngre pyetjen, thotë zoti Patel se çfarë konsiderohet ngrënie normale.

“Kemi fëmijë që rriten me idenë se është normale të pijnë një gotë të madhe me një liter koka-kola, që është sheqer dhe kalori pa vlerë. Fëmijët nuk e kanë idenë sesi bëhet ushqimi dhe rriten me zakone të pashëndetshme të ushqyeri”.

Ai thotë se provat e kësaj dukurie shihen në Shtetet e Bashkuara.

“Një ndër tre fëmijën që kanë lindur në vitin 2000 do të preket nga diabeti i tipit 2. Dhe tek fëmijët me ngjyrë, shanset janë që një ndër dy fëmijë të preket nga diabeti”.

Simptomat e kësaj sëmundjeje përfshijnë etjen, lodhjen, humbje peshe, mjegullimi i shikimit, plagë që shërohen me ngadalësi dhe infeskione të shpeshta. Kjo mund të çojë në sëmundje kardiovaskulare dhe dëmtim të nervave, veshkave, syve dhe këmbëve. Kurimi kryesor është dieta dhe ushtrimet fizike. Zoti Patel thotë se kjo po ndodh në Indi, një nga ekonomitë në zhvillim.

“India është një vend që vuan nga epidemia e urisë, ndërkohë që vuan edhe nga sëmundjet që hasen në vendet e pasura”.

Ai thotë se dietat moderne janë shumë të ndryshme nga jo që hanin paraardhësit tanë.

“Po të gërmosh në një shpellë të Epokës së Gurit nuk gjen paketa bosh patatinash. Kjo është një dukuri e re. Shumica e ushqimeve që hamë sot janë industriale dhe të përpunuara, plot me sheqer dhe kripë. Trupi ynë I kërkon dhe shitja e tyre del me fitim”.

Por ai thotë se ka shpresë për ushqime më të mira.

“Ka pasur një rilindje të lëvizjes së ushqimit në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, ku njerëzit kanë dëshirë të rrisin prodhimet e tyre ushqimore, me prodhime locale dhe organike”.

Ai shton se konsumatorët dhe komunitetet në SHBA dhe vende të tjera po e kuptojnë se jemi në një krizë shëndetësore dhe ekonomike që lidhet me dietën. Ai thotë se ata po marrin masa duke përcaktuar politikat e veta të ushqimit dhe bujqësisë.
XS
SM
MD
LG