Lidhje

OKB vlerëson zgjedhjet në Ukrainë


Shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Ukrainë, dhe bënë thirrje për dhënien fund të dhunës dhe rivendosjen e qetësisë dhe dialogut kombëtar.

Pothuajse të gjithë 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit përshëndetën fitoren e Petro Poroshenkos në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe premtimin e tij për të biseduar me Moskën për të rivendosur paqen. Por Ambasadori i Rusisë, Vitaly Churkin, ishte më i rezervuar, duke thënë se zgjedhjet nuk janë një "ilaç" për konfliktin në Ukrainë.
Shefi politik i OKB-së Jeffrey Feltman i tha Këshillit të Sigurimit se rreth 60 përqind e votuesve të mundshëm morën pjesë në zgjedhje. Ai tha se vëzhguesit ndërkombëtarë konkluduan se votimet ishin të besueshme, pavarësisht armiqësive në rajonet lindore të vendit, Donetsk dhe Luhansk. Zgjedhjet nuk u mbajtën fare në gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia.

Zoti Feltman tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki - moon i telefonoi presidentit të zgjedhur të Ukrainës dje për t’i uruar fitoren në zgjedhje.

"Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti deklaratat e presidentit të sapozgjedhur Petro Poroshenko për një angazhimi të menjëhershëm në dialog dhe për uljen e tensioneve".

Por zoti Feltman tha se shefi i OKB-së gjithashtu është i shqetësuar nga njoftimet për përdorimin e armëve të rënda në lindje, dhe akuzat për hyrjen e armëve, luftëtarëve dhe kamionëve në Ukrainë.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin rreth katër vëzhguesve ndërkombëtarë të cilët janë zhdukur që nga e hëna në mbrëmje në rajonin e paqëndrueshëm të Donetskit. Një tjetër grup prej 11 vëzhguesish u ndalua për një kohë të shkurtër dje në të njëjtën zonë, por më pas ata u liruan.

Ambasadori i Ukrainës në OKB, Yuriy Sergeyev i tha Këshillit të Sigurimit se mbështetja për zotin Poroshenko nga të gjitha rajonet e vendit konfirmon dëshirën e fortë të ukrainasve për unitet kombëtar dhe ai i bëri thirrje Rusisë të ndërpresë ndërhyrjet e saj dhe nxitjen e separatizmit në Ukrainë.

"Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i kërkojnë Federatës Ruse të ndërpresë praktikat e saj destabilizuese, të tërheqë të gjitha formacionet e armatosura ruse, organizatat paraushtarake, grupet dhe qytetarët e saj nga Ukraina dhe të përmbush detyrimet e saj të dala nga marrëveshja e Gjenevës".

Ambasadori Sergeyev tha se ai nuk u beson deklaratave të Moskës se ajo do të respektojë rezultatin e zgjedhjeve në Ukrainë, duke marrë parasysh ndërhyrjet e vazhdueshme ruse.
XS
SM
MD
LG