Lidhje

Ndryshime të pritshme në politikën amerikane


Republikanët ndihen gjithnjë e më shumë optimistë se në zgjedhjet e nëntorit, do të fitojnë më tepër vende, sidomos në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, njofton për një konsensus në rritje mes ekspertëve, se 2014-a do të jetë një vit i mirë për republikanët dhe një vit i vështirë për demokratët.

Ligjvënësit nga të dyja partitë politike dhe Shtëpia e Bardhë po përqëndrohen përherë e më tepër tek zgjedhjet e nëntorit, kur votohet për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për 36 nga 100 vendet e Senatit.

Për momentin, shumica e analistëve thonë se republikanët do t’i ruajnë, ose do t’i shtojnë vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe se ata kanë një shans të shkëlqyer të fitojnë 6 vende shtesë, që u nevojiten për të fituar shumicën në Senatin, tani të kontrolluar nga demokratët.

Avantazhit të republikanëve u shtohet fakti se disa demokratë ose janë duke dalë në pension, ose ndeshen me gara të vështira në shtetet që anojnë nga republikanët, thotë John Fortier i Qendrës për Politika Dypartiake.

“Republikanët në Senat kanë rastin të sigurojnë më shumë vende, por atyre u nevojiten 6 vende, që është një shifrë e konsiderueshme. Lajmi i mirë për republikanët është se shumë nga këto shtete kanë një bazë të fortë republikane.”

Analisti Fortier po ashtu thekson se niveli i ulët i miratimit për presidentin Obama në anketat e opinionit publik mund t’i ndihmojë republikanët.

“Dy faktorët më të mëdhenj të zgjedhjeve të mesit të mandatit janë gjendja ekonomike e vendit dhe Presidenti, në Shtëpinë e Bardhë. Historikisht zgjedhjet e mesit të mandatit nuk shkojnë mirë për partinë e presidentit. Dhe në se ekonomia keqësohet, është edhe më keq. Në se presidenti nuk është më popullor, kjo është akoma më keq.”

Një tjetër faktor në fushatën e zgjedhjeve të nëntorit do të jetë pikëamja e opinionit publik për ligjin e shërbimit shëndetësor të Presidentit, të njohur si Akti i Kujdesit të Përballueshëm.

Republikanët kanë në plan të theksojnë kundërshtimin e tyre për ligjin si një temë e fushatës, thotë Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“E vërteta është se ky ligj nuk mund të përmirësohet, është e nevojshme që ai të bëhet nga e para. Mund të jemi lodhur duke folur për këtë çështje, por për sa kohë që ky ligj ekziston dhe i keqëson gjërat, ne duhet ta vazhdojmë luftën kundër tij.”

Presidenti Obama po e mbron ligjin përmes fjalimeve në mbarë vendin dhe ai i akuzon republikanët se nuk kanë interes që të përpiqen ta përmirësojnë aktin e shërbimit shëndetësor.

“Nuk është çështja që ne duhet ta përmirësojmë ligjin, ne duhet ta bëjmë atë nga e para, në mënyrë që njerëzit që nuk kanë shërbim shëndetësor, të mos vazhdojnë me këtë gjendje. Kjo nuk ka për të ndodhur.”

Presidenti po ashtu u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë në nëntor, duke thënë se republikanët zakonisht dalin mirë më zgjedhjet e mesit të mandatit, ngaqë në votime marrin pjesë më pak njerëz.

Në se republikanët do të merrnin kontrollin e Senatit, kjo do të shkaktonte më tepër bllokim se në dy vitet e fundit të adminsitratës Obama, thotë analisti Tom DeFrank i revistës “National Journal”. Ai ishte i ftuar për një intervistë në studion e Zërit të Amerikës.

“Në se ai humb shumicën në Senat në nëntor, do t’i duhet të qeverisë përmes së drejtës së vetos, duke u mohuar republikanëve atë që duan të bëjnë. Unë mendoj se kjo do të krijonte përsëri bllokim.”

Për herë të fundit që republikanët kishin shumicën në të dy dhomat e Kongresit ishte gjatë administratës së Presidentit Bush. Por ata e humbën kontrollin e të dyja dhomave në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2006, por arritën të rifitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2010.
XS
SM
MD
LG