Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani

  • Luis Ramires

Shtetet e Bashkuara po e shtojnë presionin ndaj udhëheqësit afgan Hamid Karzai për nënshkrimin e një marrëveshjeje sigurie, e cila do t’i lejonte mbi 8 mijë trupat amerikane të qëndrojnë në Afganistan edhe pas këtij viti. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon Luis Ramirez, Shtetet e Bashkuara përsëri janë duke kërcënuar me një tërheqje të plotë nga Afganistani, në se zoti Karzai nuk e nënshkruan marrëveshjen:

Marrja e kontrollit të qyteteve irakiane nga ekstremistët është diçka që zyrtarët amerikanë nuk duan ta shohin të ndodhë edhe në Afganistan.

Trupat ndërkombëtare që kanë ndihmuar forcat afgane të luftojnë ekstremistët, sipas planit, duhet të tërhiqen brenda vetëm 11 muajve.

Këtë javë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney i përsëriti thirrjet ndaj Presidentit Karzai për nënshkrimin e një marrëveshjeje sigurie dypalëshe për të lehtësuar praninë e trupave amerikane përtej këtij viti.

“Qëndrimi ynë vazhdon të jetë i njëjtë: në se nuk arrihet pa humbur kohë marrëveshja dypalëshe e sigurisë, do të detyrohemi të fillojmë të bëjmë plane për të ardhmen e Afganistanit pas vitit 2014, kur atje nuk do të ketë më një prani të trupave amerikane, apo të NATO-s.”

Shtetet e Bashkuara thonë se kërkojnë një vendim nga pala afgane gjatë javëve të ardhshme, por pa e zgjatur më tej. Zoti Karzai dëshiron të presë për ta marrë vendimin deri pas zgjedhjeve të muajit prill në Afganistan, para se të marrë një vendim.

Zyrtarët amerikanë thonë se sa më tepër të presë udhëheqësi afgan për ta nënshkruar marrëveshjen, aq më e vështirë ka për të qenë për ata dhe për aleatët e NATO-s të zotohen për ta mbështetur marrëveshjen. Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm dhe duan të fillojnë të bëjnë plane për praninë e tyre pas vitit 2014, në se kjo do të ndodhë.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel:

"Ky nuk është një process i lehtë dhe i pandërlikuar. Në se thjesht i hedhim një sy ushtrisë sonë dhe asaj çka duhet të bëjmë në mënyrë që të planifikojmë dhe të përgatitemi për një mision pas vitit 2014, përballemi me një sërë çështjesh: stërvitja, ndihma, këshillimi, lufta kundër kundër terrorizmit, buxheti, Kongresi. I gjithë ky proces është i ndërlikuar.”

Ushtria amerikane ka tonalata me pajisje dhe një personel prej mijëra personash, që duhen lëvizur nga Afganistani për një periudhë të shkurtër kohe, por zyrtarët thonë se nuk janë duke vendosur afate kohore.

Analistët thonë se zoti Karzai nuk beson që Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Afganistani dhe se ai është duke luajtur një lojë të rrezikshme, e cila mund të rezultojë që forcave afgane do t’u duhet të vetëmbrohen, pa ndihmën e forcave amerikane.

Ndërlikimi i procesit është një marrëdhënie e vështirë personale mes zotit Karzai dhe Presidentit Obama. Ish-sekretari i Mbrojtjes Robert Gates, në librin e tij me kujtime që nxiti debate në Uashington, shkruan se Presidenti Obama “nuk e duron dot” zotin Karzai.

Michael O'Hanlon është analist në Institutin “Brokings”:

“Në se do të na duhet të presim për disa muaj, mund ta bëjmë këtë. Por kjo e vështirëson shumë punën dhe ka mundësi që administrata Obama mendon që zoti Karzai e ka tepruar, prandaj do që të vendosë një afat kohor për tërheqjen e trupave amerikane. Pikërisht këtu qëndron rreziku.”

… Dhe ndoshta ky rrezik është duke u shtuar, thotë Jason Campbell i Korporatës Rand.

“Duke patur parasysh këto pak javët e fundit, kur presidenti Karzai ka treguar më tepër mungesën e vullnetit për ta nënshkruar marrëveshjen për tërheqjen e trupave amerikane, këtë gjë po e realizojnë më mirë zyrtarët që merren me planifikimin e trupave dhe ata do ta marrin këtë gjë në shqyrtim.”

Tani për tani, trupat amerikane janë duke punuar në kushtet kur nuk janë të sigurtë në se do të vazhdojnë të qëndrojnë në Adganistan, apo jo.
XS
SM
MD
LG