Lidhje

Bisedimet e fshehta afgane zemërojnë SHBA-n

  • Kent Klain

Njoftimet se Presidenti afgan Hamid Karzai ka zhvilluar bisedime të fshehta të paqes me zyrtarët talebanë kanë bërë që dje në Uashington të zhvillohen takime të nivelit të lartë. Siç njofton korrrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, zyrtarët amerikanë përsëri i bënë thirrje udhëheqësit afgan që të nënshkruaj një marrëveshje për lejimin e pranisë së trupave amerikane në Afganistan përtej fundit të këtij viti.

Presidenti Barack Obama dje u takua me Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe komandantët e tjerë ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë. Ata pritej të diskutonin një njoftim të botuar në gazetën New York Times, ku thuhet se zoti Karzai është takuar me zyrtarë të talebanëve në Dubai tre javë më parë, pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara.
Sipas zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Kolonelit Steve Warren, Pentagoni nuk e ka konfirmuar këtë njoftim.

"Prej kohësh ne e kemi thënë se rruga drejt paqes atje është politike dhe diplomatike, e jo ushtarake. Ne gjithashtu kemi thënë se bisedimet mes afganëve janë ato që do të sjellin paqe dhe qendrueshmëri në Afganistan."

Edhe Komisioni i Senatit për Forcat e Armatosura dje zhvilloi një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar këtë çështje.

Senatori republikan John McCain tha se njoftimi i administratës së Presidentit Obama se do t’i jap fund operacioneve luftarake amerikane në Afganistan deri në fund të këtij viti ka shumë të ngjarë të jetë një nga faktorët që ka ndikuar në vendimin e zotit Karzai për të negociuar me talebanët. Senatori McCain tha se atij i është thënë se Shtëpia e Bardhë është duke shqyrtuar tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Afganistani në fund të vitit 2017, atëherë kur Presidentit Obama do t’i mbaronte mandati.

"Presidenti Karzai është mosbesues dhe i paarsyeshëm, por, si shumica e njerëzve me paranojë, ai ka një bazë për ta kuptuar se Shtetet e Bashkuara janë duke planifikuar tërheqjen e plotë deri në vitin 2017, prandaj ai po përpiqet të gjejë një zgjedhje tjetër, përfshirë përpjekjet për të negociuar me talebanët. Kjo është plotësisht e kuptueshme."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Presidenti Obama nuk ka marrë vendim mbi praninë e trupave amerikane në Afganistan pas vitit 2014. Ai tha se vendimi nuk mund të merret para se të nënshkruhet marrëveshje dypalëshe e sigurisë me udhëheqësin afgan.

"Me kalimin e çdo dite të këtij viti, nënshkrimi i marrëveshjes së negociuar nga qeveria afgane bëhet gjithnjë e më e domosdoshme, në mënyrë që NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mund të bëjnë plane për praninë e trupave pas vitit 2014. Pa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë prani të trupave amerikane në Afganistan përtej vitit 2014."

Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje zotit Karzai që sa më shpejtë të nënshkruajë marrëveshjen, e cila do t’i jepte NATO-s kohë për t'u përgatitur për një rol joluftarak për trupat e saj në Afganistan pas vitit 2014.

Marrëdhëniet amerikano- afgane janë tendosur në muajt e fundit, dhe presidenti Karzai njoftoi në nëntor se ai nuk do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara deri pas zgjedhjeve presidenciale të 5 prillit në Afganistan.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, demokrati Carl Levin, tha se ai është më shumë i interesuar në gatishmërinë e presidentit të ardhshëm të Afganistanit për nënshkrimin e marrëveshjes së sigurisë.

"Këshilla ime për këtë çështje është që thjesht të mos llogarisim në nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe të sigurisë nga Karzai, sepse është e qartë se ai nuk do ta nënshkruajë atë. Por ne nuk kemi nevojë për të, sepse presidenti i ardhshëm do të jetë më i besueshëm se zoti Karzai."

Udhëheqësi afgan gjithashtu ka liruar disa militantë talebanë nga burgu dhe ka akuzar Shtetet e Bashkuara për krime lufte.
XS
SM
MD
LG