Lidhje

Shtyhen bisedimet bërthamore me Iranin


Agjencia bërthamore e OKB-së thotë se bisedimet me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit janë shtyrë deri më 8 shkurt.

Bisedimet ishin planifikuar fillimisht për më 21 janar, një ditë pasi Irani dhe fuqitë botërore duhet të fillonin zbatimin e një marrëveshjeje bërthamore të përkohshme të arritur në nëntor.

Marrëveshja i kërkon Iranit të kufizojë pasurimin e uraniumit, që Perëndimi thotë se synon ndërtimin e armëve bërthamore. Si shkëmbim, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të zbutin sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.

Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike i kërkon Iranit të ofrojë garanci për transparencë në lidhje me programin e tij bërthamor si dhe informacion mbi përpjekjet që Teherani akuzohet se ka bërë në të kaluarën për prodhimin e armëve bërthamore.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha sot se marrëveshja e nëntorit nënkupton se bota është tërhequr përpara kërkesave të Iranit.

Obama: Irani të shfrytëzojë shansin në bisedimet bërthamore

Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Irani duhet të shfrytëzojë mundësinë e krijuar për të arritur një marrëveshje të plotë përfundimtare bërthamore me bashkësinë ndërkombëtare, dhe ai përsëri i bëri thirje ligjvënësve të mos miratojnë ligjin për vendosjen e sanksione të reja kundër Iranit.

Presidenti Obama foli pas takimit me kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy Brey, në të cilin u besidua për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet ekonomike evropiane, çështjet e politikës së jashtme dhe çështjet e sigurisë.

Mesazhi i zotit Obama për Kongresin është se sanksionet e reja tani do të rrezikonin shanset për një zgjidhje paqësore me Iranin të shqetësimeve ndërkombëtare rreth programit të tij bërthamor.
Dje ai tha se Plani i Përbashkët i Veprimit ofron "kohë dhe hapësirë ​" për të negociuar një marrëveshje të plotë, dhe ai tha se ligjvënësit duhet t’i japin "një shans" këtij procesi.

"Preferenca ime është paqja dhe diplomacia dhe kjo është një nga arsyet pse unë i kam dërguar një mesazh Kongresit se tani nuk është koha për të vendosur sanksione të reja ndaj Iranit, tani është koha për të lejuar diplomatët dhe ekspertët teknik të bëjnë punën e tyre."

Arritja e një marrëveshje përfundimtare nuk do të jetë e lehtë, tha ai, por ai i bëri thirrje Teheranit të shfrytëzojë këtë mundësi.

Periudha gjashtë mujore për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Shteteve të Bashkuara, grupit P5 +1, dhe Iranit fillon më 20 janar.
Presidenti Obama ka thënë se do t’i vërë veton çdo projekt-ligji të miratuar nga Kongresi për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit gjatë periudhës së bisedimeve për arritjen e një marrëveshje të plotë.

Por edhe pas njoftimit të arrtijes së Marrëveshjes për Planin e Përbashkët të Veprimit me Iranin të dielën e kaluar, ligjvënësit amerikanë nuk treguan asnjë shenjë të tërheqjes nga vendosja e sanksioneve të reja ndaj Teheranit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney thotë se Kongresi gjithmonë do të mund të vendosë sanksione të reja nëse Irani nuk i përmbush detyrimet e dala nga marrëveshja e përkohshme, ose nëse nuk arrihet një marrëveshje e plotë përfundimtare.

"Natyrisht në qoftë se Irani shkel kushtet e marrëveshjes ose nuk arrinë një marrëveshje të plotë me grupin P5 +1 gjatë periudhës gjashtë mujore, Kongresi mund të veprojë shumë shpejt dhe të miratojë sanksione të reja të cilat do të mund të zbatoheshin me shpejtësi."

Gjatë kësaj konference për shtyp, Presidenti Obama bëri komentin e tij të parë në lidhje me kritikat e forta të ish- sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates të bëra në librin e tij të sapo publikuar.

Ish sekretari Gates a ka vënë në dyshim angazhimin personal të Presidentit Obama ndaj misionit të Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Presidenti Obama e përshkroi zotin Gates si një sekretar të shquar të mbrojtjes dhe një mik, dhe tha se është e rëndësishme që politika amerikane ndaj Afganistanit të jetë e qëlluar.

"Sa herë që dërgohen ushtarët në situata të rrezikshme pas investimeve të mëdha të gjakut dhe thesarit në një vend tjetër, pjesë e punës së komandantit të përgjithshëm është analizimi me kujdes të jashtëzakonshëm i hollësive të vendimit dhe kuptimi i sakrificave dhe si komandant i përgjithshëm ju duhet vazhdimisht të pyesni se si mund të përmirësohet strategjia."

Duke thënë se besimi i tij në misionin dhe trupat amerikane është i palëkundur, Presidenti Obama vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e duhur për t'i dhënë fund operacioneve luftarake në Afganistan deri në fund të vitit 2014.
Ai nuk përmendi Marrëveshjen Dypalëshe të Sigurimit, të cilën Presidenti afgan Hamid Karzai ka refuzuar të nënshkruajë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se marrëveshja duhet të nënshkruhet, brenda "disa javësh e jo disa muajsh", për t’i hapur rrugën Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për planifikimin efikas të një pranie të vazhdueshme të trupave amerikane për të stërvitur forcat afgane dhe për të marrë pjesë në operacionet kundër terrorizmit.
XS
SM
MD
LG