Lidhje

Mijëra veta protestuan kundër Donald Trumpit


Turma protestuesish parakaluan qyteteve gjithandej Shteteve të Bashkuara për të protestuar kundër fitores së papritur të republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të së martës, duke e dënuar retorikën e tij kundërthënëse gjatë fushatës mbi emigrantët, myslimanët dhe grupet tjera.

Në New York, mijëra protestues mbushën rrugët në Manhattan derisa po parakalonin drejt "Kullës Trump" (Trump Tower), shtëpinë e praruar të Donald Trumpit në Avenynë e pestë, ndërkohë që qindra të tjerë ishin mbledhur në parkun në Manhattan duke brohoritur, "Nuk është presidenti im".

Në qendër të Chicagos, rreth një mijë e 800 veta ishin mbledhur jashtë Hotelit International, duke brohoritur "Jo Trump! Jo KKK! Jo SHBA raciste".

Policia mbylli rrugët në zonë, por nuk pati njoftime nëse ka pasur arrestime apo raste dhune.

"Jam i tmerruar me atë që po ndodhë në këtë vend" tha 22 vjeçarja Adriana Rizzo në Chicago, derisa po mbante në duar një parullë në të cilën shkruante "Kënaquni me të drejtat tuaja për aq sa mundeni".

Protestuesit kundërshtojnë zotimet e zotit Trump të bëra gjatë fushatës së do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit me Meksikon për të penguar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Qindra u mblodhën në në Philadelphia, Boston, Seattle e Portland, Oregon, të mërkurën në mbrëmje ndërsa organizatorët planifikojnë tubime në San Francisco, Los Angeles dhe Oakland të Kalifornisë.

Në Austin, kryeqyteti i Texasit, rreth 400 veta, sipas policisë, parakaluan nëpër rrugë.

Përfaqësuesit e fushatës së Trumpit nuk komentuan protestat. Në fjalimin e tij me rastin e shpalljes së fitores, Donald Trump tha se ai do të jetë president i të gjithë amerikanëve dhe se "është koha për të qëndruar së bashku si një komb i bashkuar".

Më herët gjatë këtij muaji, fushata e tij mohoi mbështetjen ndaj një gazete të Ku Klux Klan, ndërsa nënvizoi se "zoti Trump dhe fushata e tij dënojnë urrejtjen e çfarëdo forme.

Më herët të mërkurën, rreth një mijë e 500 nxënës dhe mësues protestuan në oborrin e Shkollës së mesme në Berkeley, një zonë në gjirin e San Franciscos e njohur për politika liberale, para se të parakalonin drejt Universitetit të Californias, në Berkeley.

Qindra nxënës dhe studentë kolegjesh, dolën në protesta në Seattle, Phoenix, Los Angeles dhe tri qytete në zonën e gjirit, Oakland, Richmond dhe El Cerrito.

Një grup peej mbi 300 nxënësish kryesisht latino amerikan dolën në Los Angeles dhe parakaluan deri në shkallët e bashkisë ku protestuan shkurt por zhurmshëm.

Duke kënduar në spanjisht "Njerëzit e bashkuar nuk munden kurrë", grupi mbante në duar parulla si "Jo racizmit, Nuk është presidenti im" dhe "Emigrantët e bëjnë Amerikën të madhe".

Shumë nga ata nxënës janë pjesëtarë të brezit të "ëndërrimtarëve", fëmijë të prindërve që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në rrugë të paligjshme, tha një zyrtar i shkollës dhe të cilët kanë frikë se mund të largohen nën administratën e zotit Trump.

"Një fëmijë nuk duhet të jetojë nën frikën se mund të deportohet", tha Stephanie Hipolito, një nga organizatoret e parakalimit. Ajo tha se prindërit e saj janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara.

Protestat e së mërkurës pasuan një natë protestash në zonën e San Franciscos dhe gjetiu në vend si kundërpërgjigje ndaj fitores së zotit Trump ndaj kundërshtares demokrate gjerësisht të mbështetur Hillary Clinton.

Demonstruesit thyen xhamat e dyqaneve dhe dogjën mbeturina e goma natën e së martës në Oakland. Disa kilometra më tutje studentët e Universitetit të Californias në Berkeley, protestuan në mjediset e universitetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG