Lidhje

SHBA: Gjykata e Apelit nuk pranon ta rikthejë në fuqi ndalimin e udhëtimit


Një gjykatë e apelit e Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë kërkesën e administratës së presidentit Trump që të rivendoset menjëherë në fuqi urdhri ekzekutiv i cili ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të vizitorëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Gjykata e Qarkut të 9-të e Apelit në San Francisko i kërkoi administratës dhe shtetit të Uashingtonit të dielën në mëngjes të paraqesin më shumë argumente deri të hënën pasdite.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e bëri apelin vonë të shtunën në përgjigje të vendimit të një gjykatësi federal i cili bllokoi urdhrin ekzekutiv.

Apeli i Departamentit të Drejtësisë tha se urdhri i gjyqtarit “gjykon vlerësimet e presidentit për sigurinë kombëtare” dhe dëmton publikun sepse “pengon zbatimin” e urdhrit ekzekutiv.

Disa orë pasi gjykatësi bllokoi urdhrin ekzekutiv, presidenti e kritikoi atë, dhe paralajmëroi se vendimi do të lejojë të hyjnë “shumë njerëz të këqinj dhe të rrezikshëm në vendin tonë”.

Kritikat e presidentit iu drejtuan gjykatësit James Robart, një jurist 69-vjeçar në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit i njohur për pikëpamjet e tij konservatore ligjore. Zoti Robart u emërua për pozitën aktuale në vitin 2004 nga ish-presidenti George W. Bush.

Në përgjigje të vendimit të gjykatësit Robart, Agjencia federale amerikane për Mbrojtjen e Kufirit vendosi të lejojë udhëtarët me viza të vlefshme që të hyjnë në vend.

Departamenti amerikan i Shtetit më pas konfirmoi rregullin e fundit në lidhje me vizat dhe premtoi se do të japë informacion të mëtejshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga mesi i mëngjesit të djeshëm, disa kompani ajrore të mëdha, duke përfshirë Air France, British Airways dhe Emirates filluan të lejojnë pasagjerët nga shtatë vendet e ndaluara me urdhër ekzekutiv që t’i hipin avionëve të destinuar për në Shtetet e Bashkuara.

Për shkak të pasigurisë rreth mundësisë se mund të shfuqizohet vendimi për bllokimin e urdhrit ekzekutiv ditët e ardhshme, ata që mundin të udhëtojnë menjëherë shpejtuan për të siguruar vendin në fluturimet e ardhshme.

Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump ka shkaktuar kaos brenda agjencive qeveritare dhe gjykatat, dhe ka shkaktuar protesta në qytete të shumta amerikane por edhe jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG