Lidhje

Baily: Ndasitë të zgjidhen përmes institucioneve

  • Isak Ramadani

Ambasadori amerikan në Maqedoni Jess Baily komentoi të mërkuren mbi zhvillimet në Maqedoni, duke rekomanduar që drejtuesit politikë të vendit t’i zgjidhin problemet brenda në parlament.
Ai edhe një herë përsëriti qëndrimin e SHBA se vendimi i presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për të mos ia dhënë mandatin shumicës parlamentare për formimin e qeverisë, nuk ishte i drejtë, ndërkohë që tha se shpreson se ai do ta rishqyrtojë atë.
Zoti Baily tha se SHBA mbeten mike dhe partnere të Maqedonisë dhe se duan ta ndihmojnë procesin:
“Por jeni ju qytetarët, drejtuesit tuaj politikë që bëni institucionet demokratike të funksionojnë”, tha ambasadori, duke shtuar se ka tensione dhe ndasi dhe se duhet përdorur institucionet për të bashkuar popullin.
“Mendoj se nëse shikoni rrotull jush në këtë hapsirë, do të shihni se ku gjenden zgjidhjet”, theksoi ambasadori amerikan pas një paraqitjeje të një projekti të ndihmuar nga Agjensia Amerikane për Zhvillim për arsimin e integruar ndëretnik në Maqedoni.
Projekti ka për synim nxitjen e debatit ndërmjet nxënësve të përkatësive të ndryshme që do të shërbente si urë lidhëse midis komuniteteve dhe integrimin e të rinjve në shoqëri.
Programi që zgjati për pesë vjet është ndihmuar me 6,2 milionë dollarë si mbështetje për qeverinë e Maqedonisë në procesin e integrimit etnik; ndërkohë që në këtë kuadër janë bërë trajnime për çështjet e diversitetit, ndihma teknike për këshillat e shkollave, drejtorët, mësimdhënësit dhe përfaqësues të administratës.
Drejtori i USAID-it për Maqedoninë, James Stein tha se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme janë përfshirë në këtë nismë. Se nga një ekip i secilës shkollë ka punuar mbi çështje etnike; Mbi 18 mijë mësues kanë mbaruar trajnimin dhe po zbatojnë tani teknika të reja në klasat e tyre, tha zoti Stein.
“Tashmë kemi udhëzime të qarta, koncepte dhe metodologji, të cilat janë bërë pjesë e procesit arsimor dhe do të zbatohen në programet shkollore dhe aktvitetet jashtë shkollës”, tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
Projekti ka ndihmuar rinovimin e 63 shkollave me mbi 46 mijë nxënës dhe mbi 5 mjë mësues në të gjithë vendin kanë pëfituar; Autoritetet e arsimit në Maqedoni e vlerësojnë këtë një arritje të madhe.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG