Lidhje

Kush do ta zëvendësojë Ben Bernanken?


Ekonomisti që udhëhoqi ekonominë më të madhe në botë gjatë krizës më të rëndë financiare në dekada, pritet të japë dorëheqjen në fillim të vitit të ardhshëm. Shtypi financiar është mbushur me spekulime se kush do të zëvendësojë Ben Bernaken, drejtuesin aktual të Bankës Qendrore të SHBA-së. Por mes kandidatëve të shumtë të mundshëm, spekulimet duket të përqëndrohen tek dy prej tyre.

Presidenti Obama e emëroi zotin Ben Bernanke për një mandat të dytë si kreu Bankës Qendrore në vitin 2009.

Për të luftuar rënien ekonomike, zoti Bernanke mori hapa të paprecedentë për të ulur normat e interesit, në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike, e cila erdhi ngadalë. Tani, ndërsa mandati i tij përfundon, në një faqe interneti irlandeze për baste, "Paddy Power", njerëzit japin ide se kush do ta zëvendësojë.

Një pretendente është zëvendës kryetarja aktuale e Bankës, Janet Yellen, një ish-profesore e ekonomisë në Universitetin Berkeley, e cila ka qenë në krye të Bankës së Rezervës Federale të San Franciskos si dhe këshilltare ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.

Baste po vihen gjithashtu për ish-Sekretarin amerikan të Thesarit Larry Summers, që ka shërbyer dhe si këshilltar presidencial mbi ekonominë si dhe ish-president i Universitetit të Harvardit.

Kritikët thonë se zoti Summers nuk mund të marrë konsensusin e zyrtarëve të lartë të Rezervës Federale për shkak të karakterit të tij ashpër.

Por profesori i Financave në Universitetin LaSalle Walter Schubert thotë se vendosmëria e zotit Summers mund të ndihmojë në mbajtjen larg të vendime ekonomike dhe buxhetore nga grindjet e Kongresit:

"Argumenti më i mirë në favor të Larry Summers mendoj se është pikërisht personaliteti i tij. Ai është i vendosur, dëshiron të ketë një ndikim dhe do të ishte mjaft i aftë për të ushtruar trysni ndaj Kongresit. Ai do të jetë i shkëlqyer për ta orientuar Kongresin të lëvizë në drejtimin e duhur."

Rivalja Janet Yellen shihet nga disa ekspertë, si dikush që do të bënte më pak për të nxitur Kongresin, por më shumë për të rregulluar ekonominë.

Abby McCloski hulumton çështjet ekonomike në Institutin American Enterprise dhe thotë se përvoja e gjatë e zonjës Yellen në Bankën Qendrore do të bënte që investitorët të ndiheshin të sigurtë.

"Ajo është e parashikueshme. Tregjet e dinë se çfarë mendon ajo. Nëse ajo do të merrte detyrën, nuk do të kishte surpriza, nuk do të kishte gjëra të paparashikueshme. Ka mjaft lojëra të paparashikueshme në pjesët e tjera të ekonomisë."

Në një intervistë përmes Skype, Michael Cox, ish ekonomist i rendësishëm i Bankës Qendrore të Dallasit thotë se Janet Yellen është një kandidate e fortë.

"Ajo është një ekonomiste shumë e mirë sipas mendimit tim. Më e arsyeshmja dhe me më shumë përvojë në radhët e Rezervës Federale."

Por Cox thotë se të dy kandidatët janë të gatshëm t’ë ndikojnë tek ekonomia. Autori i një libri që propozon një qasje të re për ekonominë thotë se është koha të ketë më shumë gra në krye të kompanive dhe të institucioneve të mëdha financiare.
Said Dawlabani foli përmes Skype-it.

"Gratë i shohin çështjet kryesore përmes lenteve të kujdesit dhe përgjegjësisë. Stili i tyre i udhëheqjes është i ndryshëm nga burrat. Ato përdorin natyrshëm inteligjencën emocionale."

Zoti Dawlabani thotë se kompanitë dhe vendet do të ishin më të begata në qoftë se do të përqëndroheshin më pak tek fitimet e tremujorit të ardhshëm dhe më shumë tek ndikimi që një kompani ka mbi shoqërinë, mjedisin, furnizuesit, klientët dhe punonjësit.
Zgjedhja e qasjes dhe kandidatit të duhur i përket Presidentit ndërsa kandidati duhet të miratohet nga Senati.

Ndërsa parashikimet përqëndrohen vetëm tek dy kandidatë, zoti Obama ka bërë në të kaluarën emërime që kanë qenë të papritura për shumicën e ekonomistëve.
XS
SM
MD
LG