Lidhje

Pema e Krishtlindjes mbërrin në Kapitol


Pema e Kapitolit e vitit 2015, e njohur si “Pema e Popullit”, mbërriti në destinacion, duke shënuar kështu fillimin e sezonit të festave në zonën e Kongresit amerikan. Këtë vit, pema 90-vjeçare është dhuruar nga shteti i Alaskës.

Pema 22 metra e lartë, e moshës 90-vjeçare, është marrë nga Pyjet Kombëtare të Alaskës. Ajo u pre tre javë më parë dhe u dërgua me anije nga Alaska në portin perëndimor Takoma, dhe më tej u transportua me kamion përgjatë gjithë SHBA-së, drejt kryeqytetit Uashington.

Shoferi i kamionit, John Schank, thotë se e ka ngarë kamionin për 7 orë çdo ditë, por se e ka shijuar udhëtimin.

“Është një eksperiencë e mrekullueshme që vjen një herë në jetë. Nuk mund t’i thuash jo.”

Është hera e parë që shteti i Alaskës ka ofruar pemën e Krishtlindjes për Kapitolin.

“Përfaqëson të gjithë banorët e Alaskës. Kur vjen këtu, pastaj përfaqëson të gjithë popullin e Shteteve të Bashkuara.”

Kapitolit i është ofruar një pemë çdo vit nga Shërbimi Kombëtar i Pyjeve, që në vitin 1970.

Theodore Bechtol, përgjegjës për godinën e Kapitolit, shpjegon pse është quajtur “Pema e Popullit”.

“E quajmë pema e popullit pasi është simbol i një qeverisjeje përfaqësuese. Kjo është shtëpi e popullit dhe ne kemi çdo vit një pemë që vjen nga pjesë të ndryshme të vendit, e dërguar nga populli i asaj zone. Është e mrekullueshme.”

Transportimi i pemës kërkon bashkëpunimin e shumë agjensive qeveritare, komuniteteve, firmave private dhe vullnetarëve.

Kjo pemë është edhe një lloj njohjeje me shtetin e Alaskës.

“Është dhuratë e mrekullueshme që simbolizon natyrën e Alaskës dhe popullin e saj.”

Mbërritja e pemës së Krishtlindjes shënon fillimin e sezonit të festave. Ajo do të ndriçohet zyrtarisht nga Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, më datë 2 dhjetor.

XS
SM
MD
LG