Lidhje

Kina dhe konfrontimi i mundshëm me SHBA

  • Luiz Ramirez

Ushtria amerikane demonstroi qartë pozicionin e saj lidhur me hapësirën e re për kufizimin e fluturimeve të shpallur nga Kina duke dërguar dy bombardues për të fluturuar mbi këtë zonë. Kohët e fundit Kina kufizoi zonën ajrore të fluturimeve mbi Detin e Kinës Lindore për të mbrojtur pretendimin e saj mbi një grup ishujsh të debatueshëm.

Pekini kishte paralajmëruar avionët amerikanë të merrnin miratimin e forcave kineze si pjesë e një plani për të mbrojtur pretendimin mbi ishujt Senkaku, që Japonia thotë se i takojnë asaj.

Kinezët thane se të gjithë avionëve do t’u kërkohet të identifikohen.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha se zona është hapësirë ajrore ndërkombëtare dhe pilotët amerikan nuk do ta zbatojnë këtë kërkesë.


“Shtetet e Bashkuara nuk do ta përfillin atë. Ne do të vazhdojmë të kryejmë operacionet ashtu siç kemi bërë gjithmonë në atë zonë dhe nuk do të identifikojmë planet, frekuencat apo oraret e fluturimit."

Prova e parë erdhi të martën kur dy bombardues amerikanë nuk përfillën kërkesat kineze dhe fluturuan pa incident në zonën pranë Senkakut.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki u tha dje gazetarëve se vendimi i Kinës i ngre në mënyrë të panevojshme tensionet në rajon.


“Kemi folur edhe më parë rreth shqetësimeve për rritjen e tensioneve apo ndikimin që mund të kenë ato. Në këtë pikë, roli ynë është të vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët të ecin përpara me dialog, të shprehin shqetësimet për gjërat që nuk bien dakort. Por pozicioni ynë për ishujt nuk ka ndryshuar”.

Analistët thanë se ushtria kineze nuk ka radarë apo kapacitete për të imponuar kufizime të tilla.

Por perceptimet e ushqyera nga shkurtimet e thella të buxhetit amerikan të mbrojtjes dhe një ngurim nga ana amerikane për t’u angazhuar në konflikte në botë e ka inkurajuar Kinën të konfrontojë Shtetet e Bashkuara.

Patrick Cronin, specialist në Qendrën për Sigurinë e re Amerikane, një grup kërkimor që këshillon administratën Obama, thotë se kinezët po rrezikojnë për të parë se si mund të reagojë Uashingoni.

"Kina po vë bast se ne jemi më të shqetësuar rreth një konfrontimi ushtarak sesa ç’janë ata. Por ata nuk po e peshojnë këtë thellë. Kina do të poshtërohej nëse ndodh një lloj konfrontimi."

Shtetet e Bashkuara e shohin vendimin e Kinës për të vendosur kufizime mbi avionët amerikanë si një lëvizje të rrezikshme, që analistët thonë se mund të çojë në një incident madhor ndërkombëtar.


"Ndërkohë që askush nuk po kërkon konflikt dhe ndonëse ky mund të mos çojë në luftë, mundësia e rrezikut të disa sulmeve ndaj avionëve apo luftanijeve është shtuar ndjeshëm për shkak të ndryshimit të njëanëshëm të status kuosë nga kinezët."

Në mungesë të një incidenti, forcat amerikane thonë se do të kryejnë operacione stërvitore në zonë si më pare dhe nuk do të dërgojnë kontigjente të tjera ushtarake në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG