Lidhje

SHBA dhe Kina shtojnë trysninë mbi Korenë e Veriut


Tensionet po vazhdojnë të rriten në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, ndërsa po shtohen shqetësimet se shteti komunist do të kremtojë një festë të rëndësishme kombëtare me një provë bërthamore ose një raketë balistike ndër kontinentale.

Në prag të 85 vjetorit të themelimit të Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut, ka raporte për aktivitete të reja në vendin e provave bërthamore të Koresë së Veriut, ndonëse analistët tërheqin vërejtjen se ende është e paqartë nëse një provë është gati të ndodhë.

Ndërkohë, dy luftanije japoneze iu bashkuan një stërvitjeje ushtarake me aeroplanmbajtësen USS Carl, që është në rrugë drejt rajonit të Gadishullit Korean. Koreja e Jugut tha të hënën se është në bisedime me Washingtonin për mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta me forcën ushtarake detare amerikane.

Në fillim të prillit, zyrtarët e SHBA-së dërguan mesazhe të paqarta se grupi Carl Vinson po shkonte drejt Koresë përpara datës 15 prill, ditëlindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, ngjarje kjo e cila shpesh festohet me një provë provokuese. Në vend të një prove bërthamore, Pheniani mbajti një paradë ushtarake dhe u përpoq të provonte një raketë me rreze të mesme që dështoi. Dhe aeroplanmbajtësja ishte, deri në javën e fundit, në Oqeanin Indian, e përfshirë në stërvitje me Australinë.

Koreja e Veriut, të dielën u përgjigj me sfidë ndaj shfaqjes së përtërirë ushtarake amerikane, duke thënë, në një koment në gazetën e Partisë Punëtore, Rodong Sinmun, se është "gati të përmbytë një aeroplanmbajtëse amerikane me një goditje të vetme".

Si për të rritur tensionet, Koreja e Veriut arrestoi një koreano-amerikan, i quajtur Tony Kim, që po jepte mësim mbi kontabilitetin në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Phenian (PUST). Ai u arrestua të shtunën në aeroportin ndërkombëtar të Phenianit, derisa po largohej nga vendi. PUST ishte themeluar nga evangjelistë të krishterë në vitin 2010 dhe në të mësimet i ndiqnin fëmijët e elitës së vendit.

Kreu i Universitetit, Chan-Mo Park, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “shkaku i arrestimit të tij nuk dihet por disa zyrtarë në PUST më thanë se arrestimi i tij nuk ishte i lidhur me punën e tij në PUST. Ai ishte përfshirë në disa aktivitete jashtë PUST-it, të tilla si ndihma për një jetimore".

Ndërsa Pheniani lejon disa organizata fetare të huaja të kryejnë veprimtari humanitare, një numër i misionarëve janë arrestuar për shkeljen e një ndalese për të kryer konvertime ose për të kryer krime të dyshuara ndaj shtetit.

Raportet për një mungesë të gazit në Phenian dhe rritja e çmimeve të gazit nga 70-80 cent në 1.25 dollarë për kilogram në një stacion në kryeqytetin e vendit mund të jetë tregues se Pekini po intensifikon përpjekjet për të ushtruar trysni ndaj qeverisë së Kim Jong Unit që të heqë dorë nga programet e tij bërthamore dhe provat me raketa. Është e paqartë nëse mungesa e gazit është për shkak se Kina ka ndërprerë furnizimin me naftë ose sepse ka kërcënuar ta bëjë një gjë të tillë. (Gazi shitet me kilogram dhe jo me litër në Korenë e Veriut).

Në një editorial të së shtunës në gazetën e Partisë Komuniste Kineze, Global Times, thuhej se nëse Koreja e Veriut zhvillon një provë tjetër bërthamore, Pekini do të rriste sanksionet që do të rezultonin në "uljen dramatike të sasisë së naftës së eksportuar në Korenë e Veriut". Koreja e Veriut mbështetet në Kinën, partnerin e vet më të madh tregtar deri tani, për rreth 90 për qind të importeve të saj të naftës.

Redaksia e Global Times paralajmëroi gjithashtu se Pekini nuk do të ndërhyjë ushtarakisht nëse SHBA-ja kryen një sulm parandalues ndaj ndonjë strukture bërthamore të Koresë së Veriut.

"Pekini duhet të kundërshtojë këtë veprim përmes kanaleve diplomatike në vend që të përfshihet përmes veprimeve ushtarake", shkruante gazeta.

Megjithatë, redaksia tha se Kina do të përfshihej ushtarakisht nëse trupat e Koresë së Jugut dhe SHBA-së kalojnë kufirin ndër-korean dhe përpiqen të rrëzojnë regjimin e Koresë së Veriut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, Lee Duk-haeng, tha të hënën se editoriali i Gazetës së Partisë Komuniste kineze, edhe pse nuk është politikë zyrtare, pasqyron faktin se Pekini po merr një rol më të vendosur në përpjekjen për të frenuar aleatin e saj në Phenian.

"Derisa qeveria kineze e kupton se provokimet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut janë seriozisht kërcënuese për paqen dhe qëndrueshmërinë e Azisë Verilindore, ne e kuptojmë se Kina po ushtron trysni në nivelin më të lartë për ta zgjidhur atë", tha Lee.

Televizioni shtetëror kinez njoftoi se në një bisedë telefonike të dielën me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping, tha se shpreson që të gjitha palët të tregohen të përmbajtura mbi çështjen e Koresë së Veriut dhe se Kina kundërshton çdo gjë që bie ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Analisti i çështjeve të Koresë së Veriut, Woo Su-keun, në Universitetin Donghua në Shangai, tha se kërcënimi i rritur i administratës së Trumpit lidhur me forcat ushtarake ka qenë i frytshëm në bindjen e udhëheqjes në Pekin për të marrë masa më të forta që të parandalojnë një konflikt vdekjeprurës, që mund ta tërheqë rajonin në luftë.

"Nëse Presidenti Xi nuk bashkëpunon me Presidentin Trump, Presidenti Trump mund të dalë me veprime që mund të ndikojë mbi Kinën si në planin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm, kështu që strategjia e Presidentit Xi është që të jetë sa më bashkëpunues me presidentin Trump", tha ai.

Kryeministri japonez Shinzo Abe tha të hënën se ai dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishin rënë dakord të qëndronin në kontakt të ngushtë mbi Korenë e Veriut, ndërsa kërkojnë nga Pheniani të tregojë përmbajtje derisa tensionet në rajon po rriten.

Biseda telefonike 30 minutëshe midis Trump dhe Abe kishte për qëllim të rriste trysninë ndaj Phenianit për të mos u angazhuar në veprime të mëtejshme provokuese, por nuk ishte nxitur nga ndonjë ndryshim domethënës i situatës, sipas zyrtarëve në Tokio.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG